Sulmuesja e Kombëtares shqiptare dhe Vllaznisë Megi Doçi në emisionin e sotëm Mirëmëngjes Shkodër ka folur për fillimet e saj në futboll, eksperiencën e përfituar në grupet e Champions League dhe u dërgon një mesazh të gjitha klubeve të tjera shqiptare që kërkojnë të mundin ekipin e vajzave të Vllaznisë: Po punojnë gabim, nuk mundet Vllaznia me një javë apo dy javë përgatitje.
Megi Doçi u bën thirrje të gjitha vajzave ti përkushtohen lojës së bukur të futbollit, duke thënë se është më mirë të merresh me sport sesa të ndjekësh çdo lloj emisioni të televizioneve të tipit të Përputhen, që janë një model i shëmtuar për shoqërinë.
– Kur të shoh këtu më dukesh një vajzë e thjeshtë e komunikuese. Në stadium merr përmasa të tjera. E ndjen këtë?
Patjetër, sipas vendit bëhet kuvendi. Në jetën e përditshme njeriu ndryshon.
– Je bërë e famshme…
E famshme në thonjëza, sepse Shqipëria nuk ta jep atë famë si në vendet e tjera. Por e ndjej që emri im përmendet dhe njerëzit më njohin. Kështu që është dicka e mirë.
– Të emocionosh dhe të frymëzosh është dicka e bukur…
Unë e kam provuar shpeshherë, të shënosh është kenaqësi. Dhe kur ti shënon gol sheh gjithë ata tifozë që brohorasin për ty. Do të kujtoj një moment që në ndeshjen që u kualifikuam në 1/16, në ndeshjen e parë që unë shënova dhe golin ishte kënaqësi e madhe sdo ta harroj kurrë, ishin 6000 vetë në stadium dhe në fund të ndeshjes u cuan të gjithë tifozët shkodranë për të më përshëndetur.
Besoj se femra i jep bukuri gjithçkaje sidomos fushës. Falenderoj tifozët që na kanë mbështetur. Ata e dinë që ne dhamë maksimumin.
– Vetë në karakterin tend je bërë më e fortë e stoike për të përballuar situatat. Apo janë disa cilësi që i ke pasur?
Çdo cilësi zhvillohet dita ditës. Është sporti dicka shumë e mirë për të gjithë fëmijët, dhe të forcon në karakter. Presidenti i klubit thotë: karakterin o e ke o se ke. Pra nuk blehet. Rrallë e kanë karakterin për të luajtur futboll.
Je ndër sulmueset më të mira. Golin në ndeshjen me Realin është vlerësuar ndër më të bukurit edhe në Europë. Ishte një gol që u gjuajt me shpejtësi e forcë të pandalshme. Çfarë ngjalli vlerësimi tek ky produkt sportiv e artistik te ti?
Është emocionuese që goli zgjidhet tek më të bukurit në Champions League, por që ai gol nuk jam unë sepse unë kam shënuar 600 gola. Ai nuk jep fitoren e ekipit, por ka të vecantë se u shënua në Champions League. Është e veçantë kur mora goditjen e dënimit ishin pesë minutat e para të lojës dhe kisha bindje që ishte gol. Në atë moment nuk pashë nga stoli. Thjesht vura topin dhe qëllova. Ka dicka që sportisti e fiton me vite. E ndjen që në momentin e parë.
– 600 gola, histori…
Janë shumë gola, secili më i veçantë se tjetri. Këto gola nuk janë shënuar vetëm nga unë por edhe shoqet e ekipit dhe presidentit që kemi arritur në këto nivele. Për mënyrën sesi punon dhe organizimi është shumë i vecantë. Me seriozitetin dhe regullin e disiplinën është arsyeja që këto vajza merren me futboll dhe kemi arritur në këto nivele.
– Futbolli është lojë kolektive…
Ne kemi fatin që 8 lojtare stërvitemi me vite bashkë. Lojtarët me vite rrisin cilësitë e tyre dhe kuptohen me shikime sesi e do kolegia topin. Keshtu që është dicka e mirë dhe shumë e vështirë për vajzat por ne kemi 10 vite që 8 vajza janë gjithmonë bashkë. Dhe kjo pjesë është edhe në Kombëtare dhe kuptohemi dhe më mirë. Por duhet të kuptohemi të gjitha pra të 11 lojtaret. Duke qenë dhe femra që është xheloze nga natyra nuk është e lehtë. Por është e bukur. Meshkujt janë më ndryshe. Mashkulli ta pason topin. Por nëse zihesh me një femër ajo s’ta pason topin.
– Megi, ecuri e jashtëzakonshme që lidhet me pasionin tënd. Si lindi?
Babi është një tifoz i çmendur i gjermanëve dhe më merrte për të më parë ndeshjet. Linte dy vëllezërit në shtëpi dhe mua më merrte me vete. Unë jam vajzë e vetme. Iknim 40 minuta larg të shihnim ndeshjet. Dhe kur luanim pasdite në fshat për futboll, unë kisha qef të shkoja me babin. Mami u zinte gjithmonë me të. Ti nëse sheh një vajzë tjetër atje unë do ta sjell me duart e mia. Edhe sytë i kam si babai. Dhe më tepër i ngjaj atij sesa mamit.
Mami është me merakun por edhe me atë që donte një vajzë që ta vishte ta rregullonte me kacurrela e fustane. Por unë doja adrenalinë në jetë. Unë jam larguar në moshën 12 vjecare nga fshati për në Tiranë, nga Prella e Burrelit për të qëndruar te tezja dhe ndoqa ëndrrën time.
– Cila është lidhja me Shkodrën?
Kur isha 13 vjec isha me Tiranën. Dhe në lojën kundër Adës së Velipojës presidenti Matija komunikon me mua. Projekti ishte shumë bindës dhe në mes të fazës kalova te Ada e Velipojës që tani është Vllaznia. Aty nisi rrugëtimi im profesional. Unë fillimisht aktivizohesha me dëshirë dhe pasion shumë të madh. Kur erdha në Tiranë nuk fleja gjumë gjithë natën dhe të nesërmen që kishim stërvitjen në kalceto nuk u bënë vajzat. Të nesërmen mendoja se nuk do të vinin përsëri. Kur hyja në fushën e lojës isha vetevetja. Të gjithë që më shihnin mendonin se isha si të gjithë të tjerat. Të gjithë stërviteshim bashkë. Në momentin që mora topin dhe u ika të gjithëve u habitën.
– Këto hapa të parë të dhanë guximin…
Gjithcka është me mund e sakrifica dhe mall për familjen. Eshtë shumë e vështirë. Edhe sot nuk e ndjen veten e plotë për shkak të mungesës së prindërve. Por ia ka vlejtur me punë e përkushtim paradite e pasdite. Asnjëherë nuk e kam lënë. Gjithmonë dhe më takojnë dhe me thonë bravo të qoftë.
– Babi të ndjek përsëri?
Babi është i cmendur. I them të mos bërtasë në stadium. Mami është krenare dhe vëllezërit. Dhe kur kemi ndeshjet në Shkodër gjithmonë vijnë. Mami është shumë krenare. Por në fillim e kishte të vështirë. Kjo është për gjithë ato familje e nëna që nuk i lejnë të lozin futboll. Eshtë dicka shpirtërore. E rëndësishme është tu themi vajzave edhe një mesazh për ta që të mos hiqni dorë nga ëndrrat tuaja. Sepse edhe unë ja ku jam sot me kupe e kampionate dhe 600 vota në karriere. Tani e kam realitet për shkak të punës dhe përkushtimit. Kur jeta të përplas në shumë dallgë dhe ti e fiton me djerse mund të flasësh për atë që ke kaluar.
– Ke pasur momente të vecanta që je ndjerë e zhgënjyer?
Pjesa e mentalitetit ka qenë një ndikim në futboll të femrave. Eshtë edhe tani në disa qytete por më ndryshe. Dhe ishte e sikletshme në fillim sikur unë cpo bëja. Për ata një femër nuk mund të luante futboll. Por unë nuk hoqa dorë. Dhe asnjëherë pavarësisht se më sikletoste nuk hoqa dorë. Kur ka vështirësi atëherë duhet ti kapërcesh.
– Stërvitesh shpesh me djemtë dhe do të thotë fuqi…
Në momentin kur nuk vij dot në shkodër te ekipi stërvitem me djemtë. Eshtë futbolli më i shpejtë dhe i fortë, e vlerëson. Dhe ti do të motivohesh 100 përqind kundër djemve. Por shumë emocionuese kur u ikja dhe të gjithë mbeteshin gojehapur dhe nga trajnerët. Ka pasur shpeshherë këto fazat përgatitore njeriu mallkon dhe veten: c’desha që u futa në kët punë. Por që kalon shpejt. Sepse ka nerv, çdo lloj pune ka vështirësitë e saj.
– Takimi me Vllazninë e presidentin ishte rruga jote profesionale. Ti je në një ekip por që ke një vend, Megi Doçi është Megi Doçi më tha dikush…
Janë vitet më të bukura të jetës sime. Për shkak se ti fillon e rritesh si në cilësi e psikologjikisht. Por edhe për shkak të ecurisë së ekipit. Patjetër që kam bërë zgjedhjen më të mirë. Unë nuk e ndërroj Vllazninë as për ekipe rajonale, vec jashtë shtetit. Nëse ka ndonjë marrëveshje, Shqipëria nuk ta jep atë statusin sportist në një nivel të lartë. Ne këtu skemi pagat e duhura. C’punë kam unë të iki në Francë, në Madrid apo në Angli. Këtu nuk ka vlerësime edhe në sektorë të tjerë. Vec muzika dhe 10 apo 12 vetë që kanë zënë televizionet dhe ne të tjerët rrimë kot. Tani kanë dalë dhe këto emisione me Përputhen apo të tjerat që nuk kanë asgjë morale dhe po rritet një brez i vështirë.
– Eshtë një ecuri që do të mendosh për emra dhe për kampionatin shqiptar. Sa motivuese është loja?
Në fillim ishte motivuese. Kam bërë zgjedhjen e duhur me Vllazninë. Ekipi është rritur nga viti në vit. Kemi fituar kupa e kampionate. Kemi bërë mirë dhe në kupat e Europës. Të arrijë një ekip për 13 vite në një të 16, është e jashtëzakonshme. Kjo është puna që eshtë bërë me vite e përkushtimi sepse gjatë gjithë vitit jemi në stërvitje. Kemi pushim vetëm për vitin e ri dhe Bajram. Vitet me Vllazninë ekipi ka pasur uljet e ngritjet e vetja por gjithmonë ka qëndruar te fitorja. Kemi një apo dy barazime. Dhe shumë pak gola të pësuar.
Skuadrat e tjera nuk na e japin pjesën e rivalitetit të madh. Pasi janë dy ekipe që duan të mundin vllazninë, por Vllaznia nuk mund të mundet me 1 javë. Eshtë mënyra e të punuarit gabim. Një ekip si Vllaznia nuk mundet lehtë. Ne dalim kampion dhe Vllaznia nuk ka asnjë krahasim me ekipet e tjera. Të gjithë të tjerët punojnë gabim.