Java e 16-të e Kategorisë Superiore dhuroi emocione të mëdha. Dje Skënderbeu barazoi 0-0 me Laçin, ndërsa Tirana-Vllaznia u mbyll pa gola. Teuta u mund sot 2-0 nga Kastrioti, ndërsa Partizani bind me rezultat dhe lojë në Rrogozhinë, teksa mposht 0-3 Egnatian.

I ftuar në Sport News në News 24 është i mirënjohuri, Ardi Mema. Mema flet për Klasiken e Shqipërisë por jo vetëm, pasi diçka u tha edhe për anën e kuqe të kryeqytetit.

Klasikja– Vllaznia dominoi ndeshjen. Në momentin që një ekip të lëshon territorin, ti mund të bësh çfarë të duash me të. Tirana ka brenda gjirit të vet lojtarë të mirë. Një ekip që ka shumë hope, e ka shumë të vështirë të luajë. Këtë e them nëse pësohet gol. Në momentin që nuk ke punuar me grupin, atëherë do kesh probleme nëse të shënon kundërshtari.

Vllaznia sulmonte me ekuilibër dhe nuk i la në asnjë moment Tiranës raste shënimi. Ishte vetëm një moment i mbrojtësit të Vllaznisë, por nuk ishte rrjedhojë e lojës së mirë të Tiranës. Vllaznia e meritonte të fitonte, por futbolli kështu është.

Partizani– Partizani ka bërë disa blerje si Kallaku apo Skuka. Janë munduar të bëjnë merkato. Është e sforcuar si merkato pasi dihet që në janar është e vështirë. Kur më pyete për trajnerin e ri, duhet të them që nevojitet kohë.

Mund të ketë edhe sukses, por nuk e shoh shumë lart. Ndoshta edhe mund të bëjë mirë, ndoshta jo, ndoshta mund të kapë ndonjë objektiv të rëndësishëm. Mua mu duk si miqësore ndeshja mes Partizanit dhe Egnatias” – tha ai./newsport/