Mbyllja e gjysmës së parë të sezonit ka bërë që edhe emri i Sokol Cikalleshit të përflitet në merkato. Megjithatë, sulmuesi i jep fund spekulimeve dhe konfirmon se e ardhmja e tij do të vazhdojë te Goztepe, aty ku do të vazhdojë të luftojë për të qenë një lojtar i rëndësishëm. Në sezonin e tij të katërt në Superligën turke, sulmuesi nuk ka ndërmend të dorëzohet përballë vështirësive.

“Jam i huazuar te Goztepe deri në fund të sezonit. Nuk kam në plan të lëviz, por edhe teknikisht sepse është skuadra ime e dytë për këtë sezon dhe nuk mund të shkoj edhe në një tjetër ekip të tretë. Për më tepër, prej dy javësh në skuadër ka ardhur trajneri i ri.

Tashmë ndihem i gatshëm edhe fizikisht. Do të kërkoj që prej fazës përgatitore në Antalia që të marr sa më tepër minuta në fushë dhe të kthehem në titullar”, thotë Cikalleshi.

Një tjetër mision është edhe rikthimi në Kombëtare. Zgjedhjet mbeten gjithmonë të trajnerit Panucci, por Cikalleshi do të bëjë të pamundurën që t’ia vështirësojë punën drejtuesit të stolit dhe të japë kontributin për ekipin kuqezi. “Këto dy vitet e fundit kanë qenë disi të vështira për mua, por duhet të vazhdosh të luftosh.

Më vjen keq që nuk kam qenë pjesë e Kombëtares, do të dëshiroja të jem gjithmonë aty dhe të ndihmoj ekipin, por këto janë çështje të trajnerit. Por, e rëndësishme është që të luaj në skuadrën time dhe nëse kjo ndodh, besoj që do të jem pjesë e Kombëtares”.

Sulmuesi analizoi edhe grupin kualifikues të Shqipërisë në Euro 2020, duke vlerësuar se takimi më i rëndësishëm do të jetë pikërisht ai i 22 marsit 2019 kundër Turqisë. Objektivi është fitorja ndaj një kundërshtari direkt dhe suksesi i parë në histori ndaj turqve, megjithatë nevojitet kujdes maksimal.