Mhill Shkëmbi, një prej figurave të njohura të arbitrimit shkodran dhe atij shqiptar, ishte i ftuar mbrëmjen e së hënës në emisionin “Star Sport”, që drejtohet nga dy gazetarët Maringlen Zhivani dhe Marinela Matija. Ai komentoi luhatjet e Vllaznisë këtë sezon, duke i konsideruar të çuditshme. Poashtu, ai tha haptasi që drejtuesit e klubit kuqeblu heshtin gjithmonë kur ka padrejtësi ndaj tyre dhe prandaj, Vllaznisë i hynë në hak në shumë raste.
“Nuk e kuptoj një Vllazni të tillë, që disa ndeshje ka një fytyrë tjetër e në disa ndeshje të tjera ndryshon. Më duket shumë e çuditshme një performancë e tillë e Vllaznisë. Diçka e tillë nuk duhet të ndodhë. Megjithatë, përveç asaj, unë jam i mendimit se Vllaznia po paraqitet shumë dobët në shumë ndeshje. Unë kam parë një mungesë dëshire për të fituar nga ana e futbollistëve. Shpresoj shumë që kjo situate të ndryshojë sa më parë.
Arbitrimi ndaj Vllaznisë? Nëse e krahasojmë Vllazninë e meshkujve me Vllazninë e femrave, temperamenti i Lazër Matijës si president në gjithë këto vite, ka bërë që edhe futbollistet në fushë të motivohen më shumë. Mosreagimi i Vllaznisë së meshkujve, jo vetëm në këtë ndeshje, por edhe në ndeshje të tjera, ndikon shumë, pasi prej të gjithë arbitrave, Vllaznia quhet një ekip që kalohet lehtë.
Arbitrat në Shkodër dhe kudo që e arbitrojnë Vllazninë, e kalojnë lehtë atë punë. Nuk është se mobilizohen deri në maksimum. Ata shpesh herë thonë më mirë ta dëmtojmë Vllazninë se sa ta favorizojmë padrejtësisht. Vllaznia gjithmonë pretendon, por asnjëherë nuk shkon me një pamje filmike dhe me një relacion të saktë në FSHF.
Megjithatë, asnjëherë nuk ndodh kjo punë te Vllaznia. Ta tentojnë t’ia bëjnë Laçit këtë punë ose Lazër Matijës këtë punë. Pra, Vllaznia çalon në këtë pikë. Gjithmonë i është hyrë në hak Vllaznisë”,-tha specialisti i gjykimit, Mhill Shkëmbi, në studion e emisionit “Star Sport”.