Vllaznia është kualifikuar për në turin gjysmëfinal të Kupës së Shqipërisë në volejboll për meshkuj, tur në të cilin do të ndeshet me Studentin. Ende nuk ka një datë se kur do të luhen këto takime por një gjë është e sigurtë: Ekipi shkodran do të synojë jo vetëm fitoren e kësaj ndeshje por edhe finalen dhe fitimin e trofeut. Natyrisht që nuk do të jetë e lehtë dhe trajneri Adrian Mikopli e di këtë gjë.

Ai e ka pranuar se skuadra shkodrane nuk ka përbërjen dhe forcën e një sezoni më parë kur shpallej kampione e Shqipërisë megjithatë do të mundohet të bëjë më të mirën. Në një prononcim për “Shkodra Sport”, numri 1 i këtij ekipi shprehet: “Padyshim që si në kupë ashtu edhe në kampionat do të mundohemi të bëjmë më të mirën dhe pse jo, do të synojmë fitoren e të dy trofeve. Tjetër gjë pastaj nëse do ia dalim apo jo. Vllaznia nuk është ajo e sezonit të kaluar sepse i janë larguar emra të tillë të rëndësishëm si Anton Qafarena dhe Vladan Xhorxheviç. Gjithsesi ne do tentojmë. Nuk do të jetë e lehtë pavarësisht se dëshira është për të ndërhyrë në merkato për të marrë një apo dy përforcime serioze. Të mos harrojmë se rivalët tanë kanë filluar lëvizjet. Erzeni ka 10 mijë euro në dispozicion për merkaton e janarit ndërsa Partizani siç dihet, nuk ka vuajtur për përforcime të huaja asnjëherë. Duhet të jemi në linjë me ta, nëse duam të jemi pretendentë të fortë për fitimin e këtyre trofeve”.

© shkodrasport.com