Pragndeshja me Ilirinë është shoqëruar me një lajm të mirë për kampin lezhjan. Kapiteni i kësaj skuadre Mirsad Gruda thuajse e ka kaluar dëmtimin që ka patur dhe pritet të luajë nesër në Fushë- Krujë. Natyrisht që kjo është diçka pozitive nisur nga roli që ky futbollist ka tek kjo skuadër. Me praninë edhe të Grudës në fushë, sigurisht që shtohen shanset që Besëlidhja ta ruajë vendin e parë në renditje edhe pas ndeshjeve të kësaj jave.

Këtë besim ka edhe vetë ky futbollist e këtë ai e shfaq edhe në intervistën e dhënë për gazetën tone:
-Gruda, cila është gjendja juaj shëndetësore tashmë?
-Dëmtimi që kam patur tashmë ka mbetur pas dhe jam plotësisht i rikuperuar. Sigurisht që nga ana fizike nuk jam në 100 % të gjendjes më të mirë si pasojë e këtij dëmtimi që më ka shqetësuar për një muaj me rradhë megjithatë ndaj Ilirisë besoj se do jem në formën e duhur për të ndihmuar skuadrën time.
-Skuadrës i ka munguar kapiteni gjatë kësaj periudhe por ju vetë sa e ndjeni përgjegjësinë e të qënurit kapiten i Besëlidhjes?
-Përgjegjësia si kapiten është e madhe për të justifikuar mbështetjen që më kanë drejtuesit e klubit dhe stafi teknik, për të justifikuar besimin e madh që tifozët e mrekullueshëm lezhjanë kanë tek unë e po ashtu, më duhet të jap maksimumin në mesfushë, aty ku është roli im për të ndihmuar ekipin në arritjen e rezultateve pozitive.
-A mendoni se Besëlidhja do ta ruajë sërish vendin e parë dhe cilën skuadër shikoni si konkurrenten kryesore?
-Normalisht që do ta ruajmë vendin e parë sepse skuadra me këtë objektiv ka hyrë në kampionat. Jemi grupi më cilësor i futbollistëve dhe njëkohësisht më rezultativ dhe prandaj e kryesojmë me meritë renditjen. Sa për rivalët, dihet që janë Mamurrasi dhe Tërbuni por në fakt ne shohim si rivalë vetëm veten.
-Tifozët lezhjanë duket se tashmë janë rikthyer në shkallët e stadiumit. Sa ndikon mbështetja e tyre tek skuadra?
-Sigurisht që ndikon shumë sepse mungesa e tyre e mëparshme ka patur ndikimin e vet negativ. Ndërsa sivjet janë të mrekullueshëm, mbi të gjitha grupimi i tifozëve “Dragojtë e Veriut” që po na mbështet fuqimisht në çdo ndeshje, si brenda ashtu edhe jashtë.
-Ju jeni lojtari që nuk e keni “tradhëtuar” asnjëherë Besëlidhjen por keni mbetur gjithnjë besnik i saj. Ka ndonjë arsye kjo?
-Kjo është mëse e vërtetë. Kam luajtur vetëm për Besëlidhjen dhe do të vazhdoj kështu deri në fund të karrierës sime dhe e kam për nder këtë. Vazhdoj rrugën e babait tim që e ka nderuar këtë skuadër gjatë karrierës së tj dhe këtë gjë po bëj edhe unë. Por nuk po mendoj për aq larg. Për momentin po mendojmë bashkë me shokët e ekipit dhe me stafin drejtues që ta ngjisim sërish Besëlidhjen në Superligë.
Engjëll Gjolaj