Trajneri i Vllaznisë, Mirsad Jonuz vijon të jetë në karantinë të detyruar 14 ditore, pasi ka udhëtuar nga Maqedonia e Veriut drejt Shkodrës. Në një bisedë për Supersport, Jonuz tregon peripecitë te Vllaznia, ndërsa jep edhe recetën e tij për të zgjidhur situatën.

Kriza e fundit me pagat dhe ndërhyrja e Bashkisë për të zgjidhur situatën si një fenomen i përsëritur, nxjerrin në pah një tjetër anë të “krisjes” politike në Shkodër, ndërsa Jonuz bën apel që “kurban” mos bëhet klubi. Trajneri tregon se afro 10 herë lojtarët i kanë folur për grevë, ndërsa ai i ka kthyer mendjen. Tekniku i kuqebluve flet me superlativa për administratorin Lici, ndërsa kërkon 2-3 persona si ai në klub.

“Më pëlqen t’i them gjërat hapur. Kjo situatë vazhdon prej shumë muajsh. Përgëzoj administratorin Suad Lici, që shumë herë është angazhuar privatisht për të mbështetur financiarisht lojtarët dhe Vllazninë.

Nëse do të kishim kishim edhe 2-3 të tjerë kështu do të ishte mirë. Me këtë buxhet është e vështirë të punosh. Ky është një problem që zgjat prej vitesh dhe është e vështirë të punosh kështu. Por ne duhet të përqendrohemi në stërvitje, pasi pas pak ditësh kemi ndeshjen me Flamurtarin.

Më besoni, ndoshta 10 herë kanë ardhur lojtarët të më flasin për grevë dhe ia kam dalë që t’i bind të mos bëhet. Por tani nuk kam më fuqi të flas për këto probleme. Ky ishte vendimi i tyre. Unë i mbështes gjithmonë lojtarët e mi. Problemi është te Bashkia.

Ky klub nuk është politikë, është klubi i Shkodrës, duhet ta mbështesim. T’a zgjidhim këtë situatë pasi është e rrezikshme. Shpresoj që gjithçka të zgjidhet, pasi Vllaznia është jetë për Shkodrën. Një emër i madh i futbollit shqiptar dhe i famshëm për Shqipërinë.

Skuadra ime luan mirë jashtë dhe tani po punojmë fort pavarësisht disa problemeve me dëmtimet. Shikoj se skuadra është mirë dhe mendoj se do të kemi një fillim të mirë. Është e rëndësishme të fitojmë me Flamurtarin dhe të nisim ngjitjen, pastaj kemi edhe Kupën ku gjithçka është e mundur”, tha ndër të tjera Jonuz./newsport/