Jose Mourinho ka thënë pas ndeshjes me Juventusin se Roma ka qenë në përgjithësi një ekip që ka luajtur më mirë dhe është mposhtur me një “gol me fat”, kështu që duhet të tregohet më shumë respekt ndaj ekipit të tij.
Për “Giallorossët” në këtë takim u rikthye në formacionin startues Paulo Dybala dhe luajti për 90 minuta, por nuk arriti që të bëjë diferencën.
Bryan Cristante kishte goditur shtyllën në pjesën e parë, por goli i Adrien Rabiot i dhuroi Juventusit tri pikë të reja.
“Ne kemi biseduar për këtë para ndeshjes dhe kemi krijuar më shumë raste sesa dikush ka pritur ndaj një muri të mbrojtjes në Turin”, ka thënë fillimisht Mourinho për DAZN.
“Ishte zhgënjyese të shkosh në pushim me rezultat 0-0, pasi kishim më shumë kualitet në pjesën e parë, e goditëm shtyllën dhe krijuam tri apo katër situata vërtet të rrezikshme. Pozicionet e Dybalas dhe Boves po u shkaktonin atyre shumë probleme”, vazhdoi Mourinho.
Në vazhdim Mourinho tha se ishin të pafat kur pësuan golin, duke thënë se mbrojtja e Juventusit ishte si një mur.
“Ne dështuam të shënonim dhe më pas ishim të pafat për mënyrën se si e pësuam golin, kështu që më pas u bë edhe më e vështirë. Juventus u mbrojt thellë, mbrojtja e tyre është me të vërtetë një mur”.
“Unë jam shumë i lumtur për mënyrën se si iu çasëm ndeshjes, shumë i lumtur me karakterin që shfaqi ekipi im, por gjithçka ka të bëjë me pikët dhe ne nuk e morëm rezultatin që deshëm”, përfundoi Mourinho./Telegrafi/