Skënderbeu-Vllaznia ishte një ndeshje që i pati të gjitha, ku nuk mungoi as tensioni dhe rastet e shumta për moviolë. Pa dyshim burim ishte dhe gjykimi, pasi që në fillim të ndeshjes u dhanë shkëndijat e para të tensionit, për të cilat gjyqtari Laver Alla nuk mori masa. Moviola e “Panorama Sport” per kete ndeshje eshte si me poshte:

Arbitri lushnjar lejoi lojën e ashpër dhe aq më shumë përplasjet mes lojtarëve, ofendimet, madje dhe pështyrjet shumë pranë tij duke mos ndëshkuar asnjë. Duke parë që arbitri nuk po ndërhynte në disa raste lojtarët bënë vetëgjyqësi, ku protagonistë ishin Zguro dhe Adili.

Madje, kapiteni i Skënderbeut është falur në disa raste, por kartonin e verdhë e mori vetëm në minutën e 73-të pas përplasjes me Aralicën, ku u ndëshkuan të dy. Betejën e ashpër kapiteni i korçarëve e nisi që në minutën e pestë në përplasjen me Dinaje, por Alla nuk mori asnjë masë.

Në të 39-ën Zguro konfrontohet me Adilin gjatë një goditjeje standarde, por sërish asnjë ndëshkim nga Alla. Pa filluar pjesa e dytë Zguro ka radhën të “kapet” me Çobën e Vllaznisë në stol, ku sërish kalon vetëm me tërheqje vëmendjeje. Duke ditur se Zgruo u ndëshkua vetëm në minutën e 75-të, i bie se ai është falur në disa raste. Pika kulmore e ndeshjes ishte penalltia e akorduar nga Alla për Skënderbeun në minutën e 77-të.

Vrapi pengohet në zonë nga Zogoviç, që i painteresuar për topin shtyn lojtarin e Skënderbeut. Alla, i bindur, akordon penallti. Por më pas gjyqtari thirret nga VAR-i për të parë rastin. Teknologjia nuk mund të ndërhynte gjersa arbitri kishte akorduar penallti dhe ishte rast i pastër.

Por VARi kishte parë diçka më shumë dhe pas monitorimit të rastit u vendos nga Alla që portieri Zogoviç të ndëshkohej me karton të kuq. Duket si rast i ekzagjeruar, gjersa ishte dhënë penallti, por me rregullore, si lojtar i fundit dhe i painteresuar për topin, portieri i Vllaznisë e meritonte të kuqin.

Më pas portieri malazez tërbohet në fushë, si dhe vijon beteja mes kampeve me përplasje dhe ofendime të rënda që mbeten të pandëshkuara. Nëse gjyqtarët u treguan manual te ndëshkimi, derisa u thirr nga VAR-i, aksioni duhej parë i plotë, pasi në fillim, para se Zogoviç të ndërhynte ndaj Vrapit, kemi një faull të shkaktuar nga Mensah ndaj Dianje, ku sulmuesi i Skënderbeut me lëvizjen e tij ka penguar mbrojtësin në kërcim për të kapur topin. Pra, aksioni mund të ndalej pa shkuar te rasti i penalltisë.