E deklaroi para ndeshjes kundër Vllaznisë së do jepte më të mirën për të shënuar e nuk do festonte. Diçka të tillë e realizoi dje pikërisht kundër shkodranëve. Fjala është për Ardit Nikaj.

Për ambientin e futbollit në Shkodër, nuk është një emër i panjohur, kjo pasi shkëlqeu me gola tek moshat u-17 dhe u-19. Por si futbollist profesionist karrierën e ka vijuar tek Skënderbeu.

Dje 19-vjeçari ishte ndër protagonistët kryesorë të barazimit 2-2 që morën korçarët kundër Vllaznisë. Minuta e 24-të e takimit nuk do harrohet kurrë nga ana e Nikajt. Kjo pasi për të ky ishte goli i tij i parë në karrierë në Superligë dhe erdhi pikërisht kundër ekipit të qytetit të tij, kundër skuadrës që u formua si futbollist.

Asnjë festim, asnjë entuziasëm nga ana e djaloshit. Një përmbajtje e një veterani dhe jo e një djali që po hedh hapat e parë në futbollin e madh. Kjo për të respektuar qytetin dhe ekipin e tij të zemrës. Fati ndoshta e deshi që Nikaj si shumë shkodranë ndër vite të shënonte kundër Vllaznisë e patjetër për sulmuesin ndjenjat patjetër do kenë qenë të përziera.

Jo vetëm goli, por edhe loja që zhvilloi Nikaj kundër kuqebluve dje ishte e një niveli shumë të mirë. Sulmuesi po fiton dalëngadalë formacionin dhe po shndërrohet në protagonist tek “ujqërit”.

Kësaj rradhe nuk festoi kundër Vllaznisë, por patjetër në golin e rradhës gëzimi i Nikajt do jetë i papërmbajtshëm. E nuk dihet të ardhmes pasi djaloshi mund të rikthehet në Shkodër e të gëzojë golat e tij me fanellën kuqeblu.
Endri ÇINARI