Tirana mundi 0-2 Vllazninë në Shkodër, në sfidën e javës së shtatë të Kategorisë Superiore. Golat u shënuan nga Xhixha në pjesën e parë, ndërsa në të dytën realizoi Seferi. I ftuar në Rubrika Sportive në RTSH Sport është i mirënjohuri Shkëlqim Muça.

Muça analizon këtë 90 minutësh, teksa shprehet se 3 pikëshi ishte tërësisht i merituar për bardheblutë, ndërsa ka rezerva për lojën e skuadrës së drejtuar nga Thomas Brdariç. Diçka u tha edhe për barazimin 1-1 të Partizanit me Egnatian.

“Tirana- Mendoj se Tirana e meritoi fitoren. Ishte ekip më i konsoliduar dhe agresiv. Është ekip që luan në sulm gjithmonë. Trajneri Shehi po ndryshon skuadrën në varësi të ekipit që ka përballë. Mendoj se kjo është një plus.

Vllaznia-Vllaznia ka humbur shkëlqimin e vet. Po të shikosh takimin e kaluar, luante me Jonuzin, pasi Krymi nuk ishte. Mesi i fushës ka qënë stabël, por tani ka më shumë vështirësi. Në mbrojtje krijojnë shumë hapësira. Ti duhet ta kishe parashikuar që Tirana ka sulm të shpejtë.Rezultati mund të ishte më i thellë.

Partizani– Te Partizani nuk funksionojnë shumë gjëra. Nuk ka shumë cilësi. Nuk janë lojtarë që godasin. Ndonjëherë edhe drejtimi të çorientohet në këto raste. Pashë që Marku krijoi 2-3 raste. Kishte kohë 45 minuta për të reaguar. Mendova se Egnatia do mbrohej, por jo. Partizani ka shumë punë për të bërë dhe është një ekip shumë konfuz ” – tha ai./newsport/