Ishte një nga protagonistët e fitores së skuadrës së tij, Valletta në fitoren 5-3 të kësaj jave në kampionatin maltez. Po flasim për Eslit Sala, i cili shënoi një nga golat për ekipin e njohur maltez. Në një intervistë për Shkodra Sport, ai shprehet i emocionuar për golin e shënuar, ku edhe flet për objektivat e skuadrës, por edhe ato personal.


– Esli, goli i parë në këtë sezon. Si u ndjetë?

Të shënosh patjetër që është ndjenja më e bukur për një futbollist. Jam i gëzuar që shënova, por më tepër që ky gol ndihmoi në marrjen e 3 pikëve dhe kjo është e rëndësishme.

– Si po shkon ky sezon tek Valletta?

E filluam ndoshta sezonin jo në mënyrën më të mirë, por ekipi ka reaguar shumë mirë në javët e fundit. Tashmë mund të them se jemi në rrugën e duhur për objektiva të mëdha.

– Po Sala si po shkon në këtë sezon?

Ky është viti im i tretë këtu dhe tashmë jam një lojtar i formacionit titullar. Mendoj se në aspektin personal duhet të vazhdoj të përmirësohem që të arrij gjëra më të mëdha.

– Çfarë gjërash më të mëdha?

Kampionati maltez është një kampionat që më ka ndihmuar të rritem dhe zhvillohem si futbollist. Por, unë dua që në të ardhmen të luaj në një kampionat më të fortë dhe do punoj për ta arritur.

– Në fund premton se do dalësh kampion?

(Qesh) , asaj nuk i dihet. Objektivi i ekipit është titulli ose minimalisht një vend në Europë. Unë premtoj se do jap maksimumin gjithmonë në fushën e lojës.
Intervistoi: Endri ÇINARI