Skënderbeu luan sot në orën 13:45 kundër Egnatias në Rrogozhinë me një ekip të përgjysmuar. Katër lojtarë janë të sigurt që do të mungojnë për shkak dëmtimi, pikërisht Meksi, Moraesh, Vitija dhe Vrapi, ndërsa për kartonë nuk do të jenë titullarë si Sadriu, Randi dhe Viktor.

Ndeshja e sotme është një mision i vështirë për korçarët, aq më tepër që përballë është skuadra rivale në luftën për mbijetesë. Edhe gjatë seancës së djeshme në Durrës, u pa qartë se Skënderbeu duhet të sakrifikojë dhe të bëjë maksimumin me një skuadër të përgjysmuar, ndërsa shpresa e vetme është një rikuperim i shpejtë i Vangjel Zguros.

Kapiteni është i vetmi që ka tentuar të shtrëngojë dhëmbët në seancën e fundit, duke duruar vetëm gjysmën e saj dhe më pas e ka lënë në mes. Përpos pesimizmit të ekipit, mësohet se Zguro ka siguruar se do të jetë në fushë me ekipin, qoftë edhe për një pjesë loje.

Tashmë mbetet nga trajneri dhe stafi teknik që të vendosin nëse pogradecari do të luajë nga minuta e parë apo jo. Shqetësime ka shfaqur edhe Frashëri në ndeshjen me Partizanin, por lojtari i krahut të djathtë ia ka dalë.

Në kushte të tilla duket se është i pashmangshëm një ndryshim rrënjësor në formacionin e korçarëve për këtë takim. Ndryshe nga sa kanë luajtur që prej kohës kur Memelli është në stol, Skënderbeu do të ndryshojë rreshtim në mënyrë të detyruar. 5-3-2 i Memellit do të shndërrohet në 4-4-2 në këtë takim, pasi mundësitë janë minimale për të ndryshuar.

Pengu i vetëm i formacionit me detyrim përcaktim është Zguro. Nëse kapiteni nuk ia del, atëherë greku Andoniadhis do të bëjë debutimin në krahun e majtë të mbrojtjes.

Më shumë sesa një analizë e mirëfilltë tekniko-taktike nga ana e Memellit, dje ka qenë një fjalim motivues për të ngritur moralin e lojtarëve dhe për të dhënë maksimumin sot në fushë. Për trajnerin bardhekuq është një ndeshje karakteri, pas gjyqeve dhe kryqëzimit që i është bërë ekipit si rezultat i humbjeve radhazi.

Për këtë pogradecari i stolit ka kërkuar nga skuadra të japë gjithçka në fushë dhe të mos shihet si inferior. “Duhet të lëmë pas krahëve këtë situatë dhe të përqendrohemi te ndeshja që kemi për të luajtur. T’u tregojmë të gjithëve se nuk jemi të mbaruar, por ai ekip që luan futbollin e bukur në kampionat”, mësohet të ketë thënë ndër të tjera Memelli.