Tomas Myler ishte shumë i zhgënjyer pas ndeshjes me Dyseldorfin, teksa pa skuadrën e tij t’i shpëtojë fitorja në minutën e fundit. Dy golat e Mylerit nuk mjaftuan për Bajernin të merrte trepikëshin ndaj një skuadre modeste që ka ardhur nga Bundesliga e dytë vetëm këtë sezon.

Për Tomasin faji bie mbi skuadrën dhe se me këto ritme titulli do të bëhet shumë i vështirë për t’u fituar nga skuadra e tij.

“Jam shumë i shokuar nga goli i pësuar në fund. Faji është i yni. Kështu nuk kemi asgjë në vijë. Ndodhemi në një moment ku po ndëshkohemi për të gjitha gabimet që po bëjmë. Nuk e di çfarë po ndodh.

Ndoshta nuk po japim 100%”, u shpreh Myler. “Sigurisht që duhet të gjejmë shkaktarin e kësaj gjendjeje, por për momentin nuk mund ta bëj analizën e ndeshjes. Kemi shumë ekspertë që mund ta bëjnë në ditët në vazhdim.

Nëse pëson tre gola në shtëpi ndaj një skuadre si Dyseldorfi, atëherë nuk mund të flasësh për titullin kampion”, përfundoi Tomas Myler. Zhgënjimi ishte i madh jo vetëm te Myler, por te të gjithë lojtarët që morën edhe vërshëllimat e tifozëve në përfundim të ndeshjes për rezultatin zhgënjyes.