Serie A është futur në pikën e nxehtë, tani luhet pjesa më e madhe e objektivave, mbi të gjitha luftohet fort për titull dhe për zonën Champions.

Si gjithnjë, në diskutimin e favoritëve nuk mungon thuajse asnjë herë as tekniku i kombëtares shqiptare Edi Reja i cili ka dhënë opinionin e tij mbi ecurinë e kampionatit.

“Napolin e kam gjithmonë në zemër, më ka dhuruar emocione fantastike, kam kaluar vite të bukura aty, por edhe tek Atalanta kam përjetuar një eksperiencë të bukur.

Atalanta luan një pjesë të mirë të objektivit Champions në këtë ndeshej me Napolin, nuk duhet të gabojë, por as Napoli nuk mund të gabojë duke parë objektivin e tyre për të fituar titullin.

Napoli bëri një ndalesë të fortë përballë Milan, por rikuperuan dhe do të luftojnë deri në fund për titullin, së bashku me Milan, Inter dhe Juve.

Për mua bardhezinjtë janë ende në garë, duke pasur parasysh që ekipet përpara tyre do të gabojnë, siç kanë gabuar. Nëse fitojnë në sfidën direkte me Inter do të kenë më shumë shanse”, u shpreh Reja për “Il Mattino”.