Shkodranët ishin të etur për futboll dhe mbi të gjitha për… Vllazni. Mbi 3 mijë të pranishëm në “Loro Boriçi” mungonin në vitet e fundit, por mjaftoi rikthimi i ekipit në Kategorinë Superiore që tifozët të zgjoheshin.

Një shifër jo fort e madhe kur e krahason me kohën kur tribunat tejmbusheshin nga cepi në cep, por kur mendon se është vetëm fillimi, mund të themi se nuk është fort keq.

Fitorja kundër Laçit dhe loja e mirë që skuadra bëri, sigurisht që do të shtojnë interesin dhe ndoshta numri i sportdashësve mund të dyfishohet, ose edhe trefishohet në vazhdim.

Në Ballsh është e sigurt që skuadra nuk do të udhëtojë e vetme, pasi do e ketë në krah lojtarin e 12- të, e megjithatë kuriozë jemi të shohim se çfarë do të ndodhë në “klasiken” e futbollit shqiptar. Më 1 shtator në Shkodër rikthehet Tirana, ndaj pritet që interesi të jetë i jashtëzakonshëm.