Dinamo do të luajë ditën e nesërme ndaj Tiranës, sfidë e vlefshme për javën e 19-të të Superiores. Një duel mjaft i rëndësishëm dhe i veçantë për të dyja ekipet që do të duelojnë fort mes tyre për 3 pikët e para për vitin 2024.
Për të analizuar këtë takim, në konferencën për shtyp ishte i pranishëm Dritan Mehmeti. Trajneri i “Bluve” ka zbuluar se Mija nuk do të jetë ndaj bardhebluve, ndërsa sa i takon merkatos nënvizon se presidenti i ka plotësuar “dëshirat”.
“Kjo minifazë ka pasur peripecitë e veta, kemi pasur ndonjë problem me gjendjen shëndetësore të disa lojtarëve. Presim përgjigjen për disa prej tyre, përveç Mijës, që është jashtë skuadre.
Skuadra është mjaft e motivuar, ka shkuar mirë procesi stërvitor. Derbi është ndeshje specifike. Tani e njoh më mirë skuadrën nga ndeshja e fazës së dytë, por derbi është i paparashikueshëm. Çdo ndeshje ka vlerat e veta, sepse na e kushtëzon kampionati.
Shpresojmë të marrim më të mirën, jo vetëm në derbi. Dinamo luan vetëm për fitore gjithmonë dhe e rëndësishme është që të futemi me këtë mentalitet në fushë. Ta vlerësojmë sa duhet kundërshtarin dhe me besim të shkojmë te fitorja. Lojtarët duhet ta menaxhojnë sa më mirë në aspektin psikologjik këtë ndeshje. Jam munduar që skuadrës t’i injekjtoj mentalitetin fitues, e njoh mirë Dinamon.
Merkato? Presidenti na i ka plotësuar dëshirat, është shumë i prekokupuar. Ka edhe vështirësi në këtë periudhë, sepse merkatoja nuk na jep shumë alternativa për të bërë goditjet që kërkojmë, sidomos në mesfushë.
Rival nuk kemi vetëm Tiranën, por gjithë të tjerat. Presioni ndjehet në çdo ndeshje, por duhet ta kuptjmë të gjithë që, nëse nuk menaxhojmë presionin dhe nuk e kupton se çfarë klubi prezanton, atëherë është më mirë të mos marrësh pjesë të ky klub.
Të gjithë duhet ta përfaqësojmë Dinamon ashtu siç e meriton. Duhet të dimë t’i përgjigjemi Tiranës, duke e vlerësuar siç e meriton”, përfundon Mehmeti.