Pak minuta më parë ka ndërruar jetë ish- futbollisti dhe ish-trajneri i Vllaznisë Esat Rakiqi.Muajt e fundit ka vuajtur nga një sëmundje e rëndë dhe megjithatë me shpresën për të qenë aktiv në jetë, kishte udhëtuar drejt kontinentit të largët për t’i qëndruar pranë vajzës së tij që jeton atje por nuk ka ndodhur kështu për shumë kohë. Sëmundja e ka lodhur shumë derisa paraditen e sotme, i ka marrë edhe jetën. Njeriu që ka dhënë një kontribut të madh për klubin Vllaznia dhe jo vetëm atë, tashmë nuk jeton më.

I dalluar si futbollist në vitet ’60- ’70, duke fituar madje edhe disa trofe me Vllazninë, menjëherë pas lënies së sportit, nisi punën e trajnerit, madje është i jashtëzakonshëm në këtë detyrë sepse duke punuar si zëvendëstrajner, e ka kryer atë për plot 33 vite. Dhe jo vetëm tek Vllaznia, por edhe tek Laçi e Kukësi. Një njeri i shkëlqyer në të gjitha drejtimet megjithatë vdekja “e deshi për vete” pikërisht në moshën 73 vjeçare. Gazeta “SHKODRA SPORT” i shpreh ngushëllimet më të sinqerta familjes për humbjen e njeriut të saj të dashur, klubit Vllaznia për humbjen e një emri të shquar të historisë së tij. Ceremonia e varrimit do te zhvillohet në Shkoder menjehere sapo trupi i tij te vije nga Amerika. I përjetshëm qoftë kujtimi yt profesor Esati!

Gjergj KOLA