Bajerni do të luajë sot ndeshjen më të rëndësishme të sezonit. Frankfurti do të vijë në Mynih për të kërkuar një biletë në Kupat e Europës dhe për t’u prishur festën bavarezëve. Ambienti në klubin e Bajernit ka qenë i qetë me përjashtim të lajmeve për largimin e trajnerit Niko Kovaç. Vetë kroati nuk ka mohuar asgjë në konferencën për shtyp, i pyetur për të ardhmen e tij. Kovaç është shfaqur konfuz dhe duke dhënë një përgjigje filozofike.

“Do të vijë një ditë që do të largohem, deri atëherë do të punoj me pasion ashtu siç kam bërë në këto 9 muajt këtu në Mynih. Nuk jam mësuar që të dorëzohem”, ishin fjalët e trajnerit të 28 herë kampionëve të Gjermanisë. Ishte Karl Hainc Rumenige ai që në fakt krijoi këtë situatë me një deklaratë të tij në lidhje me të ardhmen e trajnerit.

Karl u shpreh para disa javësh që askush në skuadrën e Bajernit nuk e ka vendin e sigurt. Një fjali që solli shumë pikëpyetje pas. Më pas këto deklarata u mohuan nga shefi ekzekutiv i Bajernit me pretendimin se nuk ishin për trajnerin kroat. Dje, vetëm një ditë para ndeshjes vendimtare për titullin kampion ndaj Frankfurtit, Rumenige i doli në krah Niko Kovaçit duke deklaruar se klubi i Bajernit do t’i besojë trajnerit aktual:

“Ato çfarë shkruhen, janë lajme të pavërteta, ju dhe unë e dini shumë mirë se çfarë kam dashur të them me atë fjalë”, tha Rumenige. “Nuk kemi marrë asnjë vendim për trajnerin. Do të vazhdojmë kështu siç jemi”, u shpreh me tone të larta ish-legjenda bavareze.

Duket se ai ka ndryshuar mendje për trajnerin që nuk kërkon ta vërë nën presion në këto momente delikate të sezonit. Rumenige ka pasur një mendim ndryshe nga ai i presidentit të klubit bavarez, Uli Hënes. Uli ka mbështetur gjithmonë trajnerin Kovaç dhe ka deklaruar se edhe nëse nuk fitohet kampionati, Kovaç nuk do të preket.

Se çfarë do të ndodhë në ditët në vazhdim, do të varet nga rezultati i ndeshjes së sotme ndaj Frankfurtit. Titulli do të ishte komardarja e kroatit e cila rrezikon të shpohet nëse nuk arrihet objektivi sezonal. Të gjithë sytë janë në “Allianz Arena”, aty Ku Bajerni do të luajë fatet e sezonit dhe të… Kovaçit.