Vllaznia luan sot takimin e fundit të kampionatit të rregullt, por mendjen e ka te finalja e titullit që do të zhvillohet mesjavën e ardhshme ndaj Bylisit. Trajneri Agim Canaj ka një periudhë të shkurtër që e drejton Vllazninë dhe për të është hera e parë që ulet në stolin e një skuadre në Kategorinë e Parë.

Pasi të mbyllet ndeshja e fundit e kampionatit me Erzenin, Vllaznia ka si objektiv fitimin e finales me Bylisin. Një gjë të tillë e thekson edhe Canaj në intervistën e tij. Ai kërkon fitimin e këtij trofeu jo për të ngritur thjesht një kupë apo për aspektin financiar, por për t’i bërë një mbyllje sa më të mirë këtij sezoni.

Profesor, sot keni përballjen e fundit në grup ndaj Erzenit, por duket se mendja është te përballja finale me Bylisin…

Natyrisht, pasi gjithçka është mbyllur në këto takime, nuk duket se kanë shumë vlerë edhe rezultatet.

Megjithatë, duhet që të arrijmë një fitore dhe ta mbyllim sezonin me sukses. Do të jetë e plotë skuadra në sfidën ndaj Erzenit?

Me Erzenin kemi menduar që të aktivizojmë lojtarët me më pak minuta. Sigurisht ata elementë që i shërbejnë të ardhmes së kësaj skuadre dhe ata duhet që të shikohen edhe në këtë përballje të fundit. Do të jetë një formacion miks. Me sa duket, mendja është te takimi me Bylisin.

Si e vlerësoni atë përballje, ndërsa skuadrën ballshiote e keni drejtuar më parë?

Çdo trajner ka nostalgji për skuadrat që ka drejtuar. Si profesionist do dëshiroja që Vllaznia të fitojë finalen, jo vetëm për faktin se fitojmë Kupën, por edhe për përfitimin monetar. Gjendja në aspektin financiar tashmë dihet dhe ato të ardhura do ishin një plus për klubin. Por, për mendimin tim, luajmë përballë një skuadre që sezonin tjetër do ta kemi përballë në Superiore. Prandaj do të jetë edhe një test për të ardhmen, paçka se gjërat mund të ndryshojnë.

Bylis është një skuadër e mirë dhe për këtë duhet vlerësuar. Do të ketë mungesa për takimin ndaj Bylisit?

Disa lojtarë kanë probleme të vogla, por gjithsesi mund të them se grupi do të jetë i plotë me përjashtim të Sherrit.

Sa ndikon mungesa e tij?

Mendoj se ka qenë një sezon shumë i mirë për të dhe mungesa ndihet, por gjithsesi dy portierët e tjerë Selimaj e Qarri do të dinë që të bëjnë më të mirën e tyre në këto dy sfida. Për këtë unë i kam provuar të dy dhe do të jetë njëri nga këta që do të mbrojë portën shkodrane edhe në këtë përballje finale.

Thatë edhe më përpara se takimi me Erzenin do të vlejë sërish për të përcaktuar lojtarët që do të jenë pjesë e ekipit edhe në sezonin e ardhshëm. Çfarë skuadre pritet të jetë në vazhdim?

Sigurisht, ata elementë që i shërbejnë të ardhmes së kësaj skuadre. Ashtu siç ka edhe një bosht lojtarësh që kanë vite që janë aktivizuar në Superiore. Më 31 maj shumë futbollistëve titullarë u mbarojnë kontratat me Vllazninë dhe nuk dihet akoma çfarë do të bëjnë drejtuesit.