Ka ndryshuar kalendari I ndeshjeve të Superligës. Takimi Vllaznia- Skënderbeu, I vlefshëm për javën e pestë të saj, I planifikuar të luhet në stadiumin “Loro Boriçi” të Shkodrës më datë 1 tetor, nuk do të luhet aty por në Korçë. Arsyeja është se vetëm pak ditë më pas në këtë stadium do të luhen dy ndeshje të rëndësishme ndërkombëtare, ajo Kosovë- Kroaci më 6 tetor dhe tre ditë më pas, ajo Shqipëri- Spanjë. Në këto rrethana, Federata Shqiptare e Futbollit, për të ruajtur tapetin e stadiumit, ka vendosur që të bisedojë me të dy klubet në mënyrë që të ndryshojë vendin e zhvillimit të kësaj ndeshje.

Aprovimi tashmë është marrë dhe ndeshja e datës 1 tetor në mes Vllaznisë dhe Skënderbeut, do të luhet në stadiumin e qytetit të Korçës. Ndërkohë, ajo e fazës së dytë do të luhet më pas në Shkodër. Natyrisht që për ekipin kuqeblu një ndryshim I tillë nuk ka qenë i mirëpritur sepse nuk është privilegj të luash në Korçë në këto momente e për më tepër që kalendari I tij do të rëndohej me zhvillimin e tre ndeshjeve rresht jashtë fushës së vet. Megjithatë, gjërat duket se kanë ndryshuar në një drejtim tjetër. Ndeshja Luftëtari- Vllaznia e vlefshme për javën e gjashtë të Superligës, nuk do të luhet në Gjirokastër sepse stadiumi I këtij qyteti është ende në rikonstruksion dhe për këtë arsye, do të ndodhë sërish I njëjti spostim. Kjo ndeshje do të luhet në Shkodër dhe ajo e fazës së dytë pastaj të luhet në Gjirokastër. Këto ndryshime sigurisht që kanë sjellë njëfarë lëmshi në kalendarin e këtij aktiviteti megjithatë të shpresojmë që të mos kenë ndikim negativ në ecurinë e ekipit të Vllaznisë.

© shkodrasport.com