Tjetër sukses për atletin shkodran Izmir Smajlaj. Në garat e zhvilluar ditën e djeshme në Erevan të Armenisë, ai ka zënë vendin e parë duke merituar  medaljen e artë. Një sukses i madh i këtij sportisti duke parë edhe sportistët e tjerë pjesmarrës në këtë turne ndërkombëtar të përvitshëm që zhvillohet çdo vit në këtë vend. Një turne i cili zhvillohet vetëm në disiplinën e kërcimit së gjati dhe ku marrin pjesë sportistë nga vende të ndryshme të Europës. Smajlaj ka arritur të kërcejë 7 metra e 85 centimetra, më shumë se gjithë të tjerët duke merituar vendin e parë dhe duke u ngjitur më pas në podium ku i është vendosur në qafë edhe medalja e artë e këtij aktiviteti. Suksesi i djeshëm i këtij sportisti të klubit Vllaznia tregon më së miri formën e shkëlqyer që ai po kalon. Jo më kot, Izmir Smajlaj dhe Luiza Gega janë krenaria e atletikës shqiptare për momentin. Atleti shkodran pak muaj  më parë mori pjesë edhe në Kampionatin Europian që u zhvillua në Amsterdam të Hollandës ku zuri edhe vendin e nëntë në kontinent. Po ashtu, mori pjesë edhe në Lojërat Olimpike të Rio De Zhaneiros ku bëri një paraqitje të mirë megjithatë nuk arriti dot të kualifikohet për në fazën finale të këtij kompeticioni shumë të rëndësishëm. Karriera e 23 vjeçarit megjithatë po njeh vetëm rritje dhe me siguri që shumë shpejt do të kemi të tjera medalje dhe rekorde prej tij. Kuptohet që edhe me përmirësimin e kushteve të stërvitjes shumë shpejt, parametrat e tij do rriten dhe natyrshëm trajneri Vildan Tufi bashkë me të premtojnë të tjera rezultate historike për atletikën shkodrane.
Gjergj KOLA