Entuziast por edhe qëndrim me këmbë në tokë. I tille eshte shfaqur pas ndeshjes para gazetarëve trajneri i Vllaznisë Armando Cungu. Kjo sfidë është konsideruar edhe një përballje në mes dy prej trajnerëve më të mirë aktualisht në Shqipëri dhe në fund ka qenë shkodrani ai që ka triumfuar mbi peqinasin e pankinës vlonjate. Megjithatë tekniku i kuqebluve nuk ka dëshirë të merret me këtë çështje por të ndalet tek ndeshja. “E parashikoja një ndeshje të vështirë, pasi edhe skuadra e Flamurtarit ka ndryshuar në krahasim me një sezon më parë. Për këtë arsye kam kërkuar nga skuadra që të tregohet shumë e kujdesshme në këtë ndeshje. Si konkluzion luajtëm një ndeshje të mirë, edhe pse ishte mundësia që të finalizonim më mirë, nëse do të kishim konkluduar si duhet disa situata.


Ekipi nuk duhet të kënaqet me një apo dy gola, kur ekzistonte mundësia për të realizuar më shumë”, deklaroi trajneri i Vllaznisë, Armando Cungu. Vllaznia ndodhet aktualisht në vendin e katërt, pikërisht pas tre ekipeve që jo më kot konsiderohen pretendente për titullin kampion. Një ecuri e mirë e këtij fillimi mejgithatë trajneri i kuqebluve nuk ka dëshirë që futbollistët e tij “të fluturojnë” e për këtë ka vend edhe për apel.“Nuk duhet të fluturojmë, por të hedhim hapat një nga një, pasi është vetëm fillimi i sezonit dhe duhet të jemi shumë seriozë. Edhe sezonin e kaluar patëm shumë luhatje, ndaj duhet të tregojmë kujdes të madh, me qëllim që të ruajmë të njëjtin ritëm në çdo ndeshje. Të mos harrojmë se tani fillojnë vështirësitë për ne. Kundërshtarët do na shohin me sy tjetër dhe kjo do të na e vështirësojë punën. Pa harruar edhe faktin se në këto javë të para asnjëri prej ekipeve nuk ka qenë në formën e tij më të mirë. Të ardhmen e shoh një garë të fortë megjithatë ne do të bëjmë lojën tonë në çdo ndeshje, me objektivat e qarta për ta fituar secilën prej tyre”, u shpreh trajneri i ekipit shkodran në përfundim të ndeshjes ndaj Flamurtarit. Vllaznisë i mungon sulmuesi i shumëpritur nga merkatoja megjithatë sot, u mbështet tek dy lojtarë të rinj të Akademisë së saj, Uendi Vecaj 19 vjeç dhe Rubin Hebaj vetëm 18 vjeç. Duke folur në lidhje me ta, trajneri Cungu ka thënë: “Nuk gjetëm sulmuesin që kërkonim megjithatë ne nuk u dorëzuam. Po besojmë tek djemtë tanë sepse jo më kot janë pjesë e skuadrës. Vecaj tashmë po e krijon profilin e tij si një lojtar i domosdoshëm për ekipin megjithatë duhet të ulë kokën dhe të vazhdojë të punojë fort sepse të dhënat i ka shumë të mira. Sa për Hebajn, është vetëm 18 vjeç megjithatë ne si staf besojmë tek ky lojtar dhe mendoj se të dy ata do të jenë pjesë e rëndësishme e skuadrës gjatë gjithë sezonit”. Tre ndeshje pa pësuar gol. Duket se kemi të bëjmë me një Vllazni shumë të kujdesshme në prapavijë. Këtë e pranon edhe vetë trajneri kur thotë: “Udhëzimet tona këto kanë qenë. Të luajmë mirë prapa dhe deri tani ja kemi dalë. Nëse nuk kemi pësuar gol në këto tre ndeshje, unë uroj që kjo gjë të zgjasë sa më shumë, ashtu siç do dëshiroja të shënonim sa më shumë në portat kundërshtare”.

 

© shkodrasport.com