Zinedine Zidane i ka thënë miqve të tij se pret një ofertë nga Manchester United, nëse Jose Mourinho do të shkarkohet.

Mourinho po përballet me momentin më të vështirë, që kur ka marrë drejtimin e “djajve” dhe pas një vere të turbulluar polemikat janë shtuar me debatet me shefin e klubit Ed Woodward dhe kapitenin, blerjen rekord, Paul Pogba.

Të hënën, 55-vjeçari do të përballet me Tottenham, në një ndeshje “jetike”, ku humbja do të përkthehej si krizë dhe do të rriste mundësinë e shkarkimit të tij.

Nga ana tjetër, Zidane është i lirë nga çdo lidhje kontraktuale, pasi u largua nga Real Madrid gjatë verës, edhe pse e mbrojtësi fronin e fituesit të Champions League.

Sipas shtypit francez, 46-vjeçari ka dëshirë të punojë në Premier League dhe miqve të ngushtë i ka treguar se pret një ofertë nga klubi i “Old Trafford”, nëse Mourinho do të largohet.

Edhe prestigjozja angleze “Daily Mail” është e sigurt se “Zizu” do të jetë trajneri i ardhshëm i United, duke kthyer edhe lumturinë e Pogba dhe Anthony Martial, që të dy bashkë kushtuan rreth 200 milionë euro, por kanë relata të tmerrshme me Mourinho, orët e të cilit po numërohen mbrapsht…/telesport/