Pavarësisht se Vllaznia e tekniku i saj, Mirsad Jonuz, e ka mendjen për t’i mbyllur sa më pozitivisht takimet deri në fund të kësaj pjese të parë të sezonit, sërish kjo nuk ka bërë që stafi i klubit dhe ai i ekipit, të ketë mendjen edhe tek e ardhmja.

Basti i teknikut deri në mbyllje të vitit është që Vllaznia të grumbullojë 26 deri në 27 pikë, gjë që për teknikun duket sa e arritshme po aq edhe pozitive.

Një gjë e tillë me disa ndërhyrje në merkato do të bënte që kuqeblutë të mos vuanin për sa i përket pjesës tjetër të sezonit. Nga sa mësohet, drejtuesit e klubit, që tani pavarësisht se mund të duket herët, kanë filluar të mendojnë për përforcimet e merkatos së dimrit.

Mirëpo, skuadra në merkaton e janarit mund të mos njohë vetëm përforcime. Ajo edhe mund të reduktohet me lojtarët që janë aktivizuar më pak gjatë kësaj pjese të sezonit. Largime të tilla mund të jenë edhe të detyruara, pasi buxheti që klubi ka në dispozicion nuk mund të përballojë lojtarë të afruar pa gjetur edhe mundësitë financiare.

Mirëpo, këto largime nuk do të jenë të gjitha të diktuara nga financat, por një pjesë e lojtarëve, të paktën gjatë këtyre 12 javëve, kanë bërë shumë pak nga çfarë drejtuesit e klubit kanë pritur prej tyre.

Pavarësisht se në klub nuk flitet ende me emra, pasi është herët për një gjë të tillë, sepse situata mund të ndryshojë, por nga ajo që duket është se disa nga afrimet e merkatos së verës kanë dhënë pak për këtë skuadër, madje duke mos justifikuar as besimin që stafi teknik me në krye drejtorin sportiv Firat kanë pasur për ta. Pa e hequr fare mendjen nga kampionati, te Vllaznia ka nisur puna për skuadrën që do të startojë në vitin e ardhshëm.