Ligji është ligj në Rusi dhe nuk fal askënd, sado i famshëm të jetë. Këtë e kanë kuptuar mirë dy futbollistët e përfaqësueses ruse, Aleksandër Kokorin dhe Pavel Mamajev, të cilët janë ndëshkuar me një vit e 5 muaj burg pasi janë bërë pjesë e një zënke dhe kanë dhunuar një zyrtar të shtetit rus në një lokal.

Sulmuesi i njohur i Zenit Shën Petersburg dhe mesfushori i Krasnodar kanë qenë nën arrest që nga muaji tetor, por sot janë paraqitur para gjykatës në Moskë dhe kanë marrë dënimin e tyre. Gjykatësi shpjegoi se ata me dashje kishin patur si qëllim të dëmtonin persona të tjerë.

Ata u akuzuan se sulmuan dhe plagosën apo dëmtuan persona të ndryshëm në Moskë gjatë një dite “tërbimi” nëpër qytet.Bashkë me ta u dënuan edhe dy shtetas të tjerë, shokë të tyre që kishin marrë pjesë në këtë “argëtim”.

Dy futbollistët ishin bërë protagonistë edhe më parë me ngjarje të çuditshme jashtë fushe, pasi në Euro 2016, pas eliminimit të përfaqësueses, kishin shpenzuar 250 mijë euro për shampanjë në një lokal në Monako. Që atëherë, ata nuk ishin grumbulluar më me përfaqësuesen, por me ngjarjet e fundit me sa duket e kanë mbyllur edhe me futbollin e luajtur. /vipsport/