Prej diçka më shumë se një viti është vënë në krye të shoqatës “Djelmnia shkodrane” dhe bashkë me stafin e trajnerëve, kanë ndërmarrë disa projekte shumë serioze për të ardhmen e shumë prej futbollistëve që janë aktualisht pjesë e saj.

E kemi fjalën për Benardin Kullën, një shkodran i cili në rininë e tij ka luajtur futboll dhe më pas, ka marrë rrugën e emigrimit teksa prej vitesh jeton në Itali. Vend ku ka krijuar edhe shuëm lidhje të cilat ka filluar t’i vërë në zbatim.

Prej tre ditësh ai ka marrë me vete në shtetin fqinj një nga futbollistët më të spikatur të “Djelmnia shkodrane”, 15 vjeçarin Aldo Nika i cili ka nisur provën në një klub atje, me shpresën për të bindur drejtuesit e saj dhe për të qëndruar më pas si pjesë e tij.

Por Nika nuk do të jetë i vetmi. Drejtuesi i “Djelmnia Shkodrane” Benardin Kulla në një prononcim ekskluziv për “Shkodra Sport” ka shpjeguar edhe disa nga objektivat e tij për vazhdimësinë.

“Strategjia e Akademisë tonë ëshë që çdo lojtar i ri që premton për të ardhmen, t’i jepet mundesia e provimit në Akademitë më të mira në Itali. Do të jetë Akademia e të gjithëve, s’ka rëndësi se nga është dhe kush është. Nuk ka rëndësi nëse ka mundësi ekonomike apo jo për të paguar.

Nëse ka talent, do të stërvitet në Akademinë tonë. Në çdo skuadër lojtarët që premtojnë për të ardhmen do të punohet përveçse me skuadrën edhe në mënyrë individuale. E kemi vendosu që 4-5 lojtarët më të mirë të çdo grupmoshe s’do të kenë asnjë shpenzim, thjesht ata duhet t’i përkushtohen stërvitjes.

Strategjia e “Djelmnia shkodrane” është e qartë: Punohet për formimin e lojtarëve në të gjithë komponentët në mënyrë që të jenë të gatshëm për tregun italian.

Vitin tjetër do të kemi një sistem më të plotë të ekipeve zinxhir, duke filluar nga U9, U11, U13, U15 dhe U17. Kjo e fundit do të ketë çdo gjë pa asnjë shpenzim”- është shprehur Kulla.
© shkodrasport.com