Ndërsa në pjesën më të madhe të Europës vazhdon të mbretërojë pasiguria, në Spanjë ka nisur plani konkret për të kthyer në fushë futbollin profesionist, atë të La Liga dhe La Liga 2.

Federata dhe vetë Liga e Futbollit, pas takimeve me përfaqësues të qeverisë, kanë kuptuar se për momentin duhet të heqin dorë nga të gjitha pretendimet që kanë për aktivitete me dyer të hapura, por me një sërë masash shumë të rrepta higjene, mund të sigurojnë të paktën zhvillimin e ndeshjeve pa tifozë.

Sipas mediave spanjolle, në takimin që është zhvilluar pak ditë më parë, presidenti i Ligës, Havier Tebas, ka mësuar nga pjesëtarët e qeverisë se nuk planifikohet të hapen dyert për tifozët gjatë vitit 2020, ndërsa shpresohet të ndodhë në fillimin e 2021 nëse deri atëherë do të ketë vaksinë dhe ajo do të jetë 100% efektive.

Tebas ua ka bërë të ditur këtë klubeve në një komunikim që ka pasur me ta këto ditë, duke i paralajmëruar që të nisin dëmshpërblimin e atyre që kishin abone dhe të anullonin shitjen për sezonin e ardhshëm, pavarësisht pasojave ekonomike, pasi kjo ishte e vetmja mënyrë.

Ndërkohë, përfaqësues të La Liga në bashkëpunim me ekspertë, kanë filluar të ndërtojnë protokollin e sigurisë, i cili pritet t’u shpërndahet klubeve të dy kampionateve gjatë kësaj fundjave, pas një video konference me trajnerët dhe kapitenët e të gjitha skuadrave.

Në mediat spanjolle është zbuluar se La Liga ka kontaktuar një laborator privat dhe planifikon që si hap të parë të bëjë testet e të gjithë pjesëtarëve të klubeve duke fillura nga lojtarët, për të vazhduar deri te personat që punojnë më pranë tyre në klube si në La Liga, ashtu edhe në La Liga 2, teste të cilat sigurisht që do të përfshijnë lojtarët shqiptarë që janë pjesë e klubeve në këto dy kateogiri.

Këto teste pritet të kryhen që më datë 28, për të identifikuar nëse ka të infektuar që nuk kanë simptoma, në mënyrë që më pas në maj të nisin stërvitjet për të përgatitur vazhdimin e javëve të mbetura të sezonit. Testimet do të jenë periodike dhe do të mbulohen nga vetë Liga dhe klubet e përfshira. /vipsport/