Prej dy ditësh, Vllaznia ka rifilluar proçesin stërvitor për sezonin 2024-2025. Përgatitjet kanë vijuar për Kupat e Europës, por edhe për edicionin në vazhdim, teksa gjithashtu një vëmendje e madhe i është përkushtuar edhe përforcimit të skuadrës me elementë të rëndësishëm.
Kështu, përveç emrave si Kahrimanoviç, Deliu, Bajrami apo Qato, në fokus janë edhe elementët e rinj shkodranë. Kështu, para pak ditësh firmosën kontrata profesioniste për herë të parë Ersi Zaganjori, Kevin Dodaj, Klajdi Halili, Aron Jukaj dhe Hazret Shimaj. Këto element shihen me interes dhe ndoshta do kenë shansin e tyre në këtë sezon.
Megjithatë, një tjetër emër që i është bashkuar shkodranëve në stërvitje në ditët e fundit është edhe kapiteni i Vllaznia U-19 në sezonin që lamë pas, Gabriel Rroku. Qendërmbrojtësi e ka mbyllur tashmë aventurën e tij me ekipet e moshave dhe po bëhet gati për ekipin e parë.
19-vjeçari aktivizohet në qendër të repartit të prapavijës, teksa me sa duket kapiteni i Vllaznia U-19 ka bindur drejtuesit për t’i ofruar një kontratë afatgjatë dhe me synimin që në të ardhmen të mund të ketë një përfitim ekonomik prej tij. Tashmë, pritet që edhe me Rrokun të ndodhë si me bashkëmoshatarët e tij dhe drejtuesit e klubit shkodran ta afrojnë në skuadër me një kontratë profesioniste, e cila është firmosur dhe mbetet për t’u zyrtarizuar nga klubi në ditët në vijim.
Maringlen ZHIVANI