Edhe pse me shumë polemika në lidhje me fitimin e të drejtës për ta zhvilluar, Katari do të organizojë Kupën e Botës 2022. Në Lindjen e Mesme temperaturat gjatë verës janë tmerrësisht të larta dhe kjo do të detyrojë organizatorët ta zhvillojnë turneun gjigant në periudhën e dimrit.
Kështu, edhe pse kalendari do të pësojë sërish një modifikim, pritet që periudha e verës të jetë e lirë për të plotësuar një dëshirë madhore të FIFA-s. Drejtuesit e organit qeverisës të futbollit në mbarë botën parashikojnë që në verën e vitit 2022 të hapin siparin e formatit të ri të Kupës së Botës për klube.
Në këtë kompeticion do të marrin pjesë 24 klube nga e gjithë bota. Pjesëmarrësit do të vendosen sipas paraqitjeve të viteve të fundit dhe pritet të jenë disa klube evropiane, çka do i japë shumë më shumë prestigj këtij kompeticioni, të cilin deri tani, skuadrat nga kontinenti i vjetër e kanë konsideruar thjesht një trofe për tu fituar.
Pjesëmarrja në Kupën e Botës për klube do të thotë 20 milionë euro arketime të dhëna nga FIFA, pa llogaritur bonuse të tjerë. Fituesi do të bëhet pronar i plot 100 milionë eurove. Shifra, që e kthejnë këtë kompeticion në një objektiv të më të mëdhenjve të kontinentit tonë, pa përjashtuar edhe ndonjë surprizë nga Amerika Latine. /vipsport/