Fallou Diagne është lideri i ri në mbrojtjen e Vllaznisë. Edhe pse në një moshë 32-vjeçare dhe ishte prej më se një viti pa ekip kur u afrua në Shkodër, në ato paraqitje në të cilat mbrojtësi senegalez ka ofruar deri më tani me kuqeblutë, vlerësimet kanë qenë përherë pozitive.

Vetë eksperienca e Diagne tregon që është një mbrojtës i nivelit të lartë, teksa i ka bërë të gjithë për vete me nivelin e treguar. Fillimisht do e niste nga stoli, për t’u kthyer në titullarin e padiskutueshëm dhe më pas në një nga mbrojtësit më të mirë në Shqipëri, teksa këtë e pohojnë edhe specialist futbolli në studiot sportive.

Ndërhyrjet me preçizionin e lartë nuk janë e vetmja pikë e fortë e tij, apo nuhatja e madhe për leximin e lojës së kundërshtarit, por gjithashtu Diagne ka edhe pasime me saktësi të madhe.

Në sfidën ndaj Tiranës, Diagne ishte i pagabueshëm, teksa bëri një ndeshje mjaft të mirë. Senegalezi nuk humbi asnjë duel dhe pothuasje gjithmonë ishte në kohën e duhur gjatë ndërhyrjeve.

Fatmirësisht, një lojtar i tillë zotërohet nga Vllaznia dhe për këtë afrim duhen përgëzuar padyshim edhe drejtuesit. Deri më tani me kuqeblutë, Fallou Diagne, në 16 takime të luajtura, ka realizuar edhe një gol ndaj Dinamos në fitoren 6-3.
Maringlen ZHIVANI