Bledar Devolli është prezantuar si zëvendëstrajner i Dinamos. Ish-mesfushori la grupmoshat e Tiranës, duke u bashkuar me Shkëmbin në stolin e Bluve. Në prezantim, Devolli ka kërkuar që mos shohin renditjen, ndërsa ka kujtuar edhe kohën kur me trajnerin e Dinamos kanë qenë më të mirët e mesfushës në Shqipëri.

“Largimi nga Tirana? Nuk u largova, e prita mirë kur Bledi më kërkoi të punoja me të. Miku duket në ditë të vështira, kam 15 vite që e njoh. Më pëlqeu projekti dhe presidenti po bën një klub model në Shqipëri.

Më pëlqen ekipi dhe pse ka pasur vështirësi, emrat janë dhe do bëjmë mirë. Kam besim te stafi dhe çunat, si edhe te projekti. Që nesër të mendojmë vetëm për ndeshjen e radhës.

Mos shohim renditjen, por vetëm punën. Kam parë grintë dhe karakter në stërvitje, në mars dhe prill shohim renditjen. Kur ishim futbollistë te Teuta dhe Partizani, kemi qenë mesfushorët më të mirë në Shqipëri. Shpresoj të jemi edhe si trajnerë. Kemi ekip cilësor dhe prurjet kanë qenë cilësore”, tha Devolli.