Ardit Krymi është padyshim një ndër futbollistët më të mirë që ka pasur Vllaznia ndonjëherë dhe pothuajse gjithmonë në të gjitha ndeshjet, ai ka qenë shtylla e mesfushës së kuqebluve. 26-vjeçari dita-ditës në ato tetë sezone që luajti në Shkodër u shndërrua padyshim në një lider tek shkodranët.

Jo më kot, në mungesë të Gurishtës, sezonet e fundit ai ishte edhe kapiten i ekipit. Shiriti i kapitenit është një përgjegjësi më shumë, por normalisht Ardit Krymi tregoi se di t’ia dalë në çdo situatë që mund të ndodhet. Ai ishte ndër të vetmit që nuk e braktisi Vllazninë edhe në momentet më negative të saj, atëherë kur kuqeblutë zbritën në Kategorinë e Parë.

Megjithatë së fundmi, ai u transferua në Bjellorusi tek Shakhtyor Soligorsk, teksa edhe aty vijoi me formën pozitive që kaloi tek skuadra e Vllaznisë. Normalisht, në kulmin e karrierës së tij, patjetër që meriton një ftesë nga Kombëtarja, qoftë edhe në eleminatoret e marsit që janë përpara.

Në fakt, për Krymin ndoshta është momenti i duhur që të lobohet që të thirret në Kombëtare, duke qenë se në krye ka ardhur një trajner i ri si Sylvinho, teksa padyshim tekniku brazilian duhet ta grumbullojë këtë futbollist me kuqezinjtë, për atë që ai tregon në fushën e lojës.

Ardit Krymi është rritur në skuadrat e moshave të Vllaznisë dhe ka debutuar në ekipin e parë në 2014-ën, kur ishte vetëm 18-vjeçar, teksa ai ka luajtur edhe tetë ndeshje me Kombëtaren U-21.
Maringlen ZHIVANI