Ndeshja më interesante e raundit të 16-të të Superligës do jetë ajo që do luhet mes Partizanit dher Vllaznisë ditën e nesërme. Të kuqtë dhe shkodranët do jenë kundër në orën 16:00, me ndeshjen që do luhet në kompleksin e ri sportiv të klubit të drejtuar nga Gazmend Demi. Një duel që i përket jo vetëm objektivave sezonalë, por edhe historisë.

Në të dy kampet ka lojtarë që spikasin dhe që janë ndër më të dalluarit në vendin tonë. Por Brenda duelit do ketë edhe duele të futbollistëve të rinj dhe të talentuar, që premtojnë shumë në të ardhmen. Në formacionet e të dy ekipeve pritet të jenë të paktën 4 futbollistë me moshë nën 21-vjeçare.

Kështu tek Vllaznia, Rejan Alivoda është tashmë i konfirmuar prej disa javësh dhe me të vërtetë mesfushori ka qenë një zbulim i këtij sezoni për gjithë kampionatin. Në moshën 19-vjeçare ai nesër si rival do ketë Arinaldo Rrapaj. Vlonjati 21-vjeçar që luan me Partizanin dhe që prej dy sezonesh është ndër më të rëndësishmit në rradhët e ‘demave’.

Një duel të rinj do ketë edhe në krahët e mbrojtjes, Geralb Smajli që ka luajtur si mbrojtës i djathtë në javët e fundit mund të jetë sërish titullar. Dhe kundër do ketë Paulo Buxhelajn, që si Alivoda ka surprizuar në sezonin e tij të parë si profesionist.

Smajli i përket moshës 20-vjeç e ndërsa Buxhelaj asaj 19-vjeçare. Është pozitiv fakti që klubet shqiptare po besojnë më në fund tek elementi i ri vendas e patjetër që në të ardhmen përveç përfitimeve që mund të nxjerrin ekipet nga shitjet e tyre, do rrisë edhe nivelin e kampionatit.
Endri ÇINARI