Flamurtari i Prishtinës nuk ka të ndalur në ecurinë e tij drejt Superligës së Kosovës. Nën drejtimin e trajnerit shkodran Samuel Nikaj ai pritet të rregjistrojë fitoren e gjashtë rradhazi. Themi pritet sepse do të jetë Komisioni Disiplinor i Federatës kosovare që do t’ia japë në tavolinë fitoren këtij ekipi ngaqë ndeshja e sotme ndaj Ballkanit, e luajtur në fushën e këtij të fundit, është ndërprerë në minutën e 35-të. Ka ndodhur kështu ngaqë tifozët vendas kanë hyrë në fushë duke bërë që të mos jetë i mundur më vazhdimi i lojës. Për këtë arsye, duket i sigurtë vendimi për dhënien e fitores 3-0 Flamutarit.

Rezultati në ato momente ka qenë 0-0. Me trepikëshin e sotëm por që do merret pas pak ditësh, prishtinasit do të ngjiten në kuotën e 30 pikëve duke mbajtur sërish vendin e parë në renditje. Interesant është fakti se dy ndjekësit kryesor të tyre, Vllaznimi i Gjakovës dhe KEK sot kanë barazuar. Të parët në transfertë ndaj Deçanit ndërsa ekipi tjetër pretendent, ka bërë një hap të gabuar në fushën e vet duke barazuar 0-0 me Ulpianën. Në këtë mënyrë, tashmë Flamurtari është 3 pikë larg vendit të dytë dhe katër pikë larg vendit të tretë. Me këtë ecuri ai duket i sigurtë në rrugën e tij drejt Superligës. Faza e parë e kampionatit do të mbyllet javën e ardhshme dhe skuadra e Nikajt do të presë në fushën e vet pikërisht ekipin e KEK-ut dhe me një fitore, epërsia me të do të thellohej edhe më shumë.

© shkodrasport.com