Java e 13-të e Kategorisë së parë është mbyllur me ndeshjen Kastrioti-Tërbuni, që përfundoi me rezultatin 1-0. Skuadra e trajnerit Nikaj i është falur një goli të sulmuesit Taulant Marku në pjesën e dytë dhe tani shkon në 7 pikë para Egnatias së vendit të dytë.

Në përfundimin e ndeshjes, Nikaj është shprehur se nëse Kastrioti do të dështonte në këtë takim, atëherë përgjegjësitë do të ishin vetëm të trajnerit.

“Ndeshjet e para janë gjithmonë të vuajtura. Këtu ka ndikuar edhe faza përgatitore e cila ka qenë me ngarkesë për futbollistët. Në ndeshjen e sotme patëm vështirësi të shpreheshim në fushën e lojës.

Nëse do të dështonim në këtë ndeshje do t’i merrja unë përgjegjësitë, pasi kështu e kisha organizuar fazën përgatitore që kulmi i forcës tonë të ishte në fundit, atëherë kur do të na duhej.”

Merkato
“Mund të kemi një lëvizje në minutat e fundit, por me këto 3 lojtarë të ofruar jam shumë i kënaqur, pasi ata do të afirmohen së shpejti në Shqipëri. Jemi duke menduar që tani për Superligën dhe këta futbollistë do të jenë të rëndësishëm në futbollin shqiptar pasi janë të talentuar.”

Ndeshja ndaj Korabit
“Në ndeshjen ndaj Korabit do të shkojmë për fitore, ashtu si në çdo ndeshje tjetër. Objektivi jonë janë vetëm 3 pikët dhe shpresojë që kushtet e fushës të jenë optimale për një ndeshje futbolli”, u shpreh Samuel Nikaj. /vipsport/