Karriera e tij ka qenë jo shumë e gjatë por brenda ka patur shumë mbresa dhe kujtime. Që janë prezente edhe sot tek ai. Nikoll Gjergji ka qenë një polisportist. E ka nisur me futbollin, ka vazhduar me volejbollin dhe atletikën, për t’u sistemuar përfundimisht tek futbolli.Në një rrëfim për gazetën WWW.SHKODRASPORT.COM, ai do të fliste për të gjitha gjërat. Si nisi karriera e tij, si vazhdoi dhe si u ndje kur u detyrua të hiqte dorë nga pasioni i tij i madh në moshën 27 vjeçare.

Ja intervista e tij për gazetën tonë:

-z. Gjergji, kur e keni nisur futbollin?
E  kam nisur në vitin 1956 kur iu bashkova ekipit të të rinjve të Vllaznisë (atëherë nuk kishte paratërinj) që drejtohej nga trajnerët e njohur Muhamet Dibra dhe Xhelal Juka. Për të vazhduar më pas me trajnerin Rifat Rusi, një trajner i rrallë për mendimin tim. Ka qenë ky person i cili në kampionatet në mes shkollave, më zbuloi kur unë përfaqësoja shkollën 8 vjeçare “Jordan Misja” dhe më sugjeroi të filloja tek Vllaznia. Ka qenë një profesor i vërtetë në kuptimin e plotë të fjalës, një njeri me shumë vlera.
-Si vazhdoi karriera juaj më pas?
Duhet të dini diçka. Unë nuk jam marrë vetëm me futboll. Kam luajtur edhe volejboll por jam marrë edhe me atletikë. Këto deri në moshën e të rinjve sepse më pas iu përkushtova tërësisht futbollist.
-Atlet dhe volejbollist?
Po. Në ato vite një sportist ka marrë pjesë në disa disiplina sportive. Për fatin tim të mirë kam qenë i suksesshëm edhe në këto dy sportet e tjera. Me volejbollin për shembull, kam arritur të shpallem edhe kampion i Shqipërisë me të rinjtë në vitin 1958 në Tiranë. Ekipi në atë periudhë drejtohej nga trajneri i madh Tonin Bianku dhe në përbërje të tij ishin kapiteni Xhelal Haxhi, Viktor Jubani, Ndok Pistulli, Nikolin Peja, Frederik Çapaliku, një tjetër futbollist i njohur ky që është marrë edhe me volejboll, apo dhe unë e Bashkim Rraboshta, Franko Karajfili, Eduard Perjaku e Abdullah Hebovija. Interesant ka qenë fakti se vetëm pak ditë pasi u shpalla kampion me volejbollin, në Shkodër u zhvillua kampionati kombëtar i atletikës për të rinj dhe unë në garën e 110 metrave me pengesë arriti të zë vendin e parë dhe të shpallem kampion duke lënë pas një emër të njohur të këtij sporti- Gjon Camaj. Ekipi i atletikës së Vllaznisë në atë periudhë drejtohej nga trajnerët e mirënjohur Brahim dhe Feti Dizdari.
-Gjithsesi emrin më së shumti do ta merrnit si futbollist apo jo?
Patjetër. Pasi mbusha moshën, më thirrën ushtar dhe më dërguan në Gjirokastër për kryerjen e tij, kjo në vitet 1959- 1960. Atje duke luajtur me Luftëtarin në kategorinë e dytë, u paraqita shumë mirë dhe në përfundim të shërbimit ushtarak, kisha dy mundësi: të shkoja tek Partizani ose tek Vllaznia.

Më ngacmoi ideja për t’u kthyer në Shkodër dhe për më tepër kështu ndodhi ngaqë drejtuesit e saj kishin nevojë për lojtarë në ato vite.Në vitin 1961 fillova të luaj me Vllazninë ku ishte krijuar një ekip shumë simpatik me Jonuz Telin, Zija Danin, Frederik Çapalikun, Sadetin Zmijanin, Hasan Hasën, Kolë Gjonin, Ramazan Rragamin, Shuajp Prezën, Bep Çefën, Osman Djepaxhinë, Selami Danin, Haki Krajën, Zija Hallunin etj. Këtë të fundit e lashë për në fund sepse veprimi i tij do të mbetet gjatë në kujtesën time. Më duket se ka qenë viti 1963. Ai kishte qenë për vite me rradhë sulmuesi kryesor i skuadrës dhe duke qenë se unë gradualisht po ia zija vendin, erdhi një ditë në stërvitje, dorëzoi bazën materiale dhe i tha trajnerëve: “Tash që ka ardh një më i mirë se unë (e kishte fjalën për mua), po e lë sportin”. Një gjest fisnik i një njeriu vërtetë të tillë. Trajnerë të ekipit në ato vite kanë qenë Muhamet Dibra, Xhelal Juka dhe Rifat Rusi.
-Më pas trajner tek Vllaznia erdhi nga Tirana Skënder Jareci. Çfarë kujtimesh keni nga ai?
Ka qëndruar jo shumë gjatë tek Vllaznia por Skënder Jareci do mbetet në kujtesën e të gjithëve. Një trajner me vizion të rrallë për futbollin, me njohuri të rralla dhe falë punës së tij kaluam nga futbolli amator në futboll profesionist. Largoi nga skuadra disa futbollistë të vjetër në moshë si Haki Krajën, Oso Djepaxhinë, Shuajp Prezën, Hasan Hasën, Zija Hallunin etj, duke na dhënë hapësira ne më të rinjve. Por pati menjëherë sukses. Fituam Kupën e Republikës pas shumë e shumë vitesh dhe skuadra ishte vërtetë model. Duke nisur nga porta me Paulin Ndojën, për të vazhduar me katërshen e mbrojtjes të përbërë nga Frederik Çapaliku, Sadetin Zmijani, një kapiten i vërtetë në fushë, për të vazhduar me Kol Gjonin dhe Menduh Dedjen. Në mesfushë për njëfarë periudhe ishte edhe Ali Memae bashkë me Ramazan Rragamin dhe Sabah Bizin, përbënin mesfushën e kombëtares. Pjesë e skuadrës ishin edhe Esat Rakiqi, Ismet Hoxha, Lekë Koçobashi, Bep Çefa, Rauf Çanga, Selman Cukali, Hajrullah Lekaj etj. Në sulm ndërkohë ishim tre sulmues shumë të shpejtë dhe rezultativë si Selami Dani, unë dhe Halil Puka. Kam luajtur gjithmonë në krahun e djathtë dhe detyra jonë ishte të “centronim” kroset në zonë ku na priste Sela (Dani) që në luftën në ajër ka qenë i rrallë. Megjithatë nuk kanë munguar edhe golat e mi.

Mbaj mend se në një kampionat, vetëm në fazën e parë, unë dhe Selami Dani kemi shënuar 23 gola, 12 Sela dhe 11 unë. Veçoria kryesore e imja ka qenë shpejtësia dhe sigurisht që edhe sot kam në mendje komentet e të madhit Anton Mazreku kur në komentet e tij në radio thoshte: Shpërthen Gjergji, i papërmbajtëshmi Gjergji”.
-Një karrierë që nisi mirë por që nuk u mbyll ashtu si duhet…
Kjo është e drejtë dhe ky është një peng që më ka mbetur.Në ndeshjen e Kupës Ballkanike me ekipin rumun Farul Konstanca e luajtur në vitin 1968 dhe që u humb nga ana jonë me rezultatin 2-0, unë u dëmtova rëndë. Në një përpjekje për të kapur topin në thellësi, portieri rumun bëri një ndërhyrje të gabuar ndaj meje dhe sikur të mos mjaftonte kjo, nga prapa më erdhi edhe një mbrojtës duke më shtyrë edhe më keq dhe këmba ime u thye keqazi. Qëndrova një vit larg futbollit. Isha 27 nëpër 28 vjeç. Mendova ta nisja edhe njëherë sportin por vendosa të heqë dorë. Mund të kisha bërë sërish gjëra të mira sepse forcat dhe mundësitë i kisha, por kështu vendosa.
-Çfarë bëtë pasi latë futbollin?
Në vitin 1970 nisa në Tiranë kursin 6 mujor për trajner futbolli. Ka qenë Bahri Axhemi, drejtuesi i sportit në atë kohë në Shkodër që më thirri dhe më dha shtysën për të nisur këtë kurs. Një kurs ku kam mësuar shumë gjëra nga emrat e mëdhenj të trajnimit shqiptar si Loro Boriçi, Zyber Konçi, Skënder Dedja etj. Pas mbarimit të këtij kursi, në vitet 1971-72 kam drejtuar Shpresat e Vllaznisë dhe më pas në vitet 1973-75 ekipin e të rinjve të Vllaznisë. Pas kësaj periudhe jam shpëtur nga trajnimi për njëfarë periudhe sepse mbarova studimet për fiskulturë, u angazhova edhe në punën me dru kështu vazhdoi jeta. Megjithatë nuk kam hequr dorë nga trajnimi sepse kam punuar për vite të tëra me moshat duket drejtuar ekipin e “Djelmënisë shkodrane”, me të cilin kam punuar deri në vitin 2014. U detyrova të shpëutem sepse tashmë jeta ime është mes Shqipërisë dhe Italisë, atje ku kam pjesën tjetër të familjes megjithatë, Vllaznia dhe futbolli kanë qenë dhe do të jenë pjesa më e rëndësishme e jetës time.
Gjergj KOLA