Ka nisur prej pak ditësh kampionati i futsallës, që është rikthyer në aktivitet pas një ndërprerjeje nga pandemia Covid-19.
Në këtë kampionat marrin pjesë 4 ekipe, që do të përfaqësojnë 4 qytete të vendit: Tirana (Tirana Futsall), Durrësi (Diamant Futsall), Elbasani (Elbasani Futsall) dhe Vlora (Flamurtari Futsall).
Ky kampionat do të zhvillohet për 6 javë me radhë, me ndeshjet që do të luhen me sistem vajtje-ardhje dhe do të vijojë më pas me fazën e play-off, për të përcaktuar edhe fituesin e parë të këtij kampionati, që do të ketë mundësinë të përfaqësojë Shqipërinë në UEFA Champions League Futsal.
Çdo skuadër do të ketë në dispozicion 22 lojtarë, teksa në fushë do të zbresin 5 lojtarë. Në këtë kampionat, të gjithë pjesëmarrësit do të jenë shqiptare dhe nuk do të marrin pjesë lojtarë të huaj.
Megjithatë, ajo që bie në sy, është fakti që është një pjesëmarrje e pakët në këtë kampionat, me vetëm katër ekipe ku mungojnë përfaqësitë edhe të shumë qyteteve me traditë të futbollit shqiptar, mes të cilave edhe ai i Shkodrës.
Kjo nuk ndodhi, duke e lënë qytetin shkodran, pa një ekip në këtë kampionat. Një mospjesëmarrje e tillë mund të vijë edhe nga që nuk disponohet as shuma e parave që duhen.
Në fakt, Bashkia Shkodër deri më sot nuk ka hedhur as edhe një qindarkë për këtë ekip, megjithatë mbetet për t’u parë në vazhdim, pasi sporti i futsallës në Shkodër ka vite që nuk po ekziston më si dikur.
Maringlen ZHIVANI