Përveç rezultateve sportive të javës së fundit në Superligë, lajm më vete kanë qenë edhe lëvizjet e trajnerëve. Edi Martini u vetëlargua nga Teuta ditën e premte pas humbjes me Partizanin e ndërsa Gugash Magani u shkarkua nga drejtuesit e Egnatias pas humbjes me Kukësin.

Por të ndalemi pak tek trajneri shkodran. Dukej se i kishte “rrënjë e forta” në drejtimin e Teutes. Dhe realisht të tilla i kishte, pasi në gjithë periudhën 2-vjeçare në krye të skuadrës durrsake nuk është vënë asnjëherë në dyshim nga drejtuesit.

E ajo dorëheqje pas disfatës kundër Partizanit në shifrat 2-1 ishte shumë e papritur për shumëkënd në ambientin e futbollit në vendin tonë.

Kemi dëgjuar në histori termin “fitore si e Pirros”. Term që i dedikohet një fitoreje që ka shumë pasoja. E në futbollin tonë do kemi një shprehje “dorëheqje si e Edit”. Një dorëheqje që askush në futbollin tonë nuk do kishte “guxim” ta bënte. Kjo për disa fakte shumë kokëforta që flasin në favor të trajnerit shkodran.

46-vjeçari është trajneri më i suksesshëm në historinë e Teutes. Në thuajse 2 vite ka fituar gjithçka ku numërohen 2 superkupa, 1 kupë republike dhe 1 kampionat që në Durrës mungonte prej 27 vitesh. Gjithashtu një kalim turi spektakolar kundër Beitar Jerusalem në Europa League para 1 sezoni.

Martini pati kurajon dhe vetëdijen e plotë që më tepër nga një grup i tillë nuk mund të priste. Por shumë pak kush mund të “ndëshkonte” veten me këto që ka arritur Edi. Epo një person i ndërgjegjshëm di kur të tërhiqet dhe të hapë krahun.

Patjetër që në çdo skuadër, “viktima” e parë kur ngecin rezultatet është trajneri, por atje në Durrës vështirë ta harrojnë Edi Martinin. Trajnerin që i riktheu në majën e futbollit shqiptar pas thuajse 3 dekadave mungesë.

Endri ÇINARI