Vllaznia do presë skuadrën e Kastriotit në javën e 27-të të kampionatit. Dueli do luhet nesër në orën 17:45, në stadiumin “Loro Boriçi” të qytetit të Shkodrës. Sfidë që si zakonisht ndeshjet e Superligës mbart duele “ish-ësh”. Tek Kastrioti ka një gjysmë formacioni që në të shkuarën kanë qenë pjesë e kuqebluve.
Duke filluar nga Abaz Karakaçi. Zëvendës kapiteni i krutanëve është një prodhim i akademisë Vllaznia, por karriera e ka parë të shëtisë në disa ekipe e sot duke përfaqësuar skuadrën e Kastriotit. Një prej futbollistëve më në formë tek Kastrioti në këtë periudhë është Edon Hasani. Edhe ai një ish-futbollist i Vllaznisë dhe një nga më të dalluarit në kampionat në rolin e tij.
Silvio Zogaj qëndroi për dy sezone në Shkodër me skuadrën kuqeblu. Lezhjani tashmë nesër do jetë si kundërshtar. Ish-i i madh është Kaina, që në janar u huazua drejt qytetit të Krujës, ku braziliani po spikat me gola. 6 të tillë deri më tani të shënuar me fanellën krutane. Një “ish” është edhe Enes Isufi, i cili nuk do jetë i gatshëm për ndeshjen për shkak të një dëmtimi.
Ndërkohë tek Vllaznia nuk ka asnjë lojtar që në të shkuarën të ketë përfaqësuar Kastriotin. Megjithatë një “ish” nuk mungon dhe ai është Elvis Plori. Trajneri tashmë i shkodranëve në të shkuarën ka drejtuar në pankinën krutane në dy periudha të ndryshme, në sezonet 2015-16 deri në 2016-17, e po ashtu edhe në një periudhë 3 mujore në vitin 2018.
Endri ÇINARI