Një tjetër hap fals i Bayern Munich në kampionat. Të besuarit e Niko Kovac janë ndalur nga Dusseldorf në barazimin 3-3 të arritur në sekondat e fundit të takimit. Vendasit kishin dy herë një avantazh të dyfishtë, por nuk kanë arritur ta menaxhonin mirë duke humbur edhe dy pikë të tjera ndaj Dortmund në renditje që fitoi ndeshjen ndaj Mainz.

Ishin miqtë ata që rrezikuan të parët në fillim të takimit me anë të Lukebakio, por goditja e tij ndalet nga pritja e bukur e Manuel Neuer. Bavarezët marrin lojën në dorë dhe në minutën e 17’ vjen goli i avantazhit me anë të Niklas Sule. Pas një rrëmuje në zonë, mbrojtësi vendas përfiton duke dërguar topin në rrjetë. Vetëm tre minuta më pas është Thomas Muller ai që dyfishon rezultatin. Një pasim i mrekullueshëm i Jerome Boateng mundësoi Muller të dalë vetëm për vetëm me portierin dhe të shënojë. Dusseldorf tregon se nuk ka mbaruar duke ngushtuar diferencën në minutën e 44’ të takimit.

Boateng këtë herë gabon në mbrojtje duke i dhënë mundësi Lukebakio-s të shënojë në portën e Neuer. Bayern kërkon të vulosë fitoren pas pushimit dhe goli i Thomas Muller në minutën e 58’ bën pikërisht këtë. Pas një kombinimi të bukur me Lewandowski, Muller godet bukur me të majtën duke shënuar golin e dytë personal. Por Dusseldorf është një “kockë e fortë” dhe arrin të ngushtojë përsëri diferencën në minutën e 77’ pas një kundërsulmi ku ai u gjend vetëm për vetëm me Neuer duke mos gabuar. Dhe në minutën e tretë shtesë ka ardhur goli i barazimit! Lukebakio i ka dhënë një pikë ekipit të tij duke kompletuar tripletën që do ta mbajë mend gjithë jetën e tij.

Ndërkohë kryesuesit e Bundesliga-s Borussia Dortmund kanë fituar me shumë vështirësi jashtë fushe ndaj Mainz me rezultatin final 2-1. Ishte një sfidë problematike për miqtë ndaj një kundërshtari solid që nuk i fali asnjë centimetër. Goli i avantazhit për BVB erdhi në minutën e 67’ falë Paco Alcacer, pro vetëm tre minuta më pas vendasit barazojnë me Quaison. Duhej ndihma e veteranit të mbrojtjes Piszczek në minutën e 76’ që miqtë të dilnin nga fusha me tre pikë që i mundësojnë ruajtjen e avantazhit ndaj rivalëve në renditje. Dortmund tani ka 30 pikë, plot 7 më tepër se Bayern Munich. Për të parën herë në historinë e Bundesliga-s janë 15 golashënues të ndryshëm pas 12 javëve të para të sezonit, një arritje e madhe e Dortmund.