Kristjan Asllani është kthyer në një nga emrat më të lakuar në Serinë A. Djaloshi 19-vjeçar i cili tashmë ka bindur në Itali me skuadrën e Empolit, ka pas vetes disa klube që kërkojnë shërbimet e tij.

Talenti kuqezi po zhvillon një sezon fantastik me Empolin, titullar absolut në skemat e Andreacolit, por edhe i ftuar nga trajneri Edi Reja në miqësorët e marsit.

Sipas asaj që shkruan “La Repubblica”, është Atalanta që ka dalë në skenë për të blerë në merkaton e verës futbollistin e lindur në Elbasan.

Te klubi bergamask mesfushori do të gjente edhe mbrojtësin e Kombëtares, Berat Gjimshiti. Gjithashtu, nuk përjashtohet edhe Bolonja, e cila, sipas të përditshmes italiane, po monitoron mesfushorin.