Merkato e transferimeve në Spanjë ka parë të regjistrohet sot një lëvizje mjaft interesante në La Liga 2. Klubi i cili është nën pronësi të Zherard Pike, ka transferuar një futbollist shqiptar për të përforcuar radhët në këtë sezon.

Klubit të cilin Pike ëndërron që ta ngjitë në La Liga, i është bashkuar në formë huazimi nga radhët e Norrkoping, 24-vjeçari Laorent Shabani.

Sulmuesi i krahut, i cili ka kaluar gjithë karrierën e tij në Suedi, tashmë do të ketë mundësinë që të tregojë se çfarë di të bëjë, teksa shihet si një element që mund të tregojë aftësitë e tij teknikë në futbollin spanjoll.

Shabani, në fillimet e karrierës së tij, ka veshur fanellën e përfaqësueseve të moshave të Suedisë, pasi spikati me ekipet e të rinjve të Malmoe.

Por më pas ai nuk ia doli që të shpërthente në futbollin e rëndësishëm me këtë klub dhe debutoi në futbollin profesionist vetëm pas largimit nga ai, në vitin 2020.