Merkato duke një temë shumë e nxehtë në mbarë Superioren e futbollit dhe përjashtim nuk bën as Vllaznia. Lëvizjet kanë qenë të shumta në kampin shkodran, duke pasur largime edhe po ashtu afrime të shumta. Në këtë mënyrë duke i dhënë një fytyrë tjetër skuadrës për sezonin e ri që pritet me shumë kureshtje.

Emrat për tu afruar tek Vllaznia kanë qenë të shumtë në ditët e fundit duke nisur nga Gjelbrim e Shqiprim Taipi apo edhe Idriz Batha. Por një emër që po qarkullon në ambientin e futbollit në Shkodër në ditët e fundit është edhe ai i Sebastian Spahiut. Futbollistit me origjinë nga Shkodra, por që është lindur dhe rritur në Belgjikë.

23-vjeçari është prej dy sezonesh pjesë e ekipit të Laçit në Superioren e futbollit tonë, ku ka spikatur shumë për cilësitë e tij teknike.

I aktivizuar në rolin e mesfushorit fantazist, ai shihet si një përforcim ideal për mesfushën e Vllaznisë. Ku shkodranëve prej kohësh iu mungon një lojtar siç thuhet në gjuhën e futbollit “tipik 10-tësh”.

Spahiu e ka mbyllur sezonin e shkuar në rradhët e Laçit me 33 paraqitje në Superiore, ku ka shënuar 2 herë e ka dhënë 7 asiste për shokët e skuadrës. Vlera e tij në tregun e merkatos kap shifrën e 300 mijë eurove dhe ai do ishte një opsion goxha interesant për ekipin e Vllaznisë në sezonin e ri.
Endri ÇINARI