Dita e dielë, do të sjellë ndeshjen e javës së pestë për Vllazninë, teksa do të përballet me Kastriotin në “Loro Boriçi”. Në gjykimin e parë, duke ndjekur katër ndeshjet e zhvilluara deri tani, shohim një ekip që mund të vendosë në dyshim fitimin e titullit kampion.

Kuqeblutë kanë humbur 1-0 që në start me Erzenin, teksa lanë shumë për të dëshiruar. Në ndeshjen e dytë, kuqeblutë morën një fitore 2-1 në frymën e fundit në shtëpi ndaj Kukësit, një ekip jo i lehtë këtë sezon.

Java e tretë, do ta ndeshte ekipin e Josës me një fitore me Tiranën në transfertë, e cila u ndikua disi edhe nga kartoni i kuq i Zhivanit dhe penalltia, por gjithsesi Vllaznia në pjesën e dytë e lëshoi fare lojën dhe për pak sa nuk e mbyllën në barazim sfidën.

Në ndeshjen e fundit, erdhi një humbje e hidhët me Egnatian, e luajtur përballë një ekipi që u mbrojt mirë, por edhe Vllaznia zhvilloi një 90-minutësh tejet të dobët në fushën e lojës.

Kështu që, në katër javë, Vllaznia ka gjashtë pikë dhe nëse e krahasojmë me vjet, ka të njëjtën kuotë pikësh, teksa vlen për t’u përmendur se ka munguar edhe loja e mirë e ekipit shkodran. Titulli?! Akoma herët për të folur për këtë çështje në Shkodër…
Maringlen ZHIVANI