Në Lojërat Olimpike të Londrës që do zhvillohen muajin e ardhshëm në Londër, në rradhët e ekipit tonë olimpik do jetë edhe një vajzë nga Shkodra. Bëhet fjalë për Noel Borshin. 16 vjeçarja me prindërit shkodranë, jeton në fakt prej vitesh në Itali, por merr pjesë në çdo garë që zhvillohet në Shqipëri duke përfaqësuar një ekip tjetër dhe jo Vllazninë. “Fati i keq i mungesës së një pishine për t’u stërvitur në Shkodër, na bëri që ne të rregjistroheshim tek ekipi “Te Stela” në Tiranë. Nëse do kishte patur ekip dhe kushte të mira stërvitje në Shkodër, padyshim që kjo vajzë do kishte përfaqësuar Vllazninë ashtu si xhaxhai vet Spartak Borshi, në vitin 1988 kur doli kampion Shqipërie në vaterpol me Vllazninë”-thotë babai i kësaj vajze- kampione, Arbeni. Në fakt, të gjithë specialistët e pranojnë hapur se kemi të bëjmë me një talent. Ajo spikat jo vetëm në garat që zhvillohen në Shqipëri, por edhe në ato në Itali. Në garat e Kupës së Republikës të zhvilluara pak ditë më parë në Tiranë, Noel Borshi u shpall fituese në 200 metra stil i përzier me kohën 2’38″67 dhe në garën 800 m, stil i lirë me kohën 9’18″50.Por këto nuk janë arritjet e vetme të saj. Ndonëse vetëm 16 vjeç, Noeli mban 6 rekorde kombëtare të të rriturave në Shqipëri. Një sukses ky që duhet t’i gëzojë të gjithë shkodranët sepse kjo vajzë është notarja më e mirë në vend.Të qënurit nga Shkodra sigurisht që duhet të na gëzojë, ashtu si dhe për notarin tjetër pjesmarrës në Lojërat Olimpike të Londrës, Sidni Hoxha. Noti shqiptar kësisoj po flet vetëm “shkodranshe” dhe kjo është për t’u veçuar.
Gjergj KOLA