Ditën e djeshme në prag të fillimit të seancës stërvitore të Tiranës, është shfaqur në ambientet e stadiumit “Selman Stërmasi” futbollisti Bekim Bala, tanimë jo si lojtar i Tiranës, por si një vizitor i saj. Themi kështu, pasi ai sapo ishte kthyer nga Çekia, ku ka qenë për të mbyllur bisedimet e fundit me skuadrën e njohur Sparta e Pragës, që mesa duket gjithçka është mbyllur me sukses. Kështu “de fakto” ai mund të konsiderohet që tani lojtarë i kësaj skuadre. Vetë shkodrani nuk ka dashur të prononcohet për një lëvizje të tillë, pasi ende nuk ka mbyllur bisedimet e fundit me Tiranës, me të cilën ka edhe katër muaj kontratë, por gjërat duken në rrugën e duhur. Por burime të besueshme, bëjnë të ditur se kalimi i Balës tek Sparta e Pragës është vetëm një formalitet, pasi çdo gjë është “kopsitur” tashmë dhe brenda 3-4 ditëve ai do ta veshë fanellën e këtij klubi dhe në mënyrë zyrtare. Këtë, në një farë mënyre, e konfirmuan ditën e djeshme edhe Administratori i Tiranës Salih Tagani si dhe drejtori sportiv Alban Tafaj. Mësohet se është biseduar edhe me drejtuesit e Tiranës, të cilët kanë ndezur drita jeshile, që kundrejt një shumë financiare që do të derdhet në arkën  e klubit kryeqytetas, Bekim Bala do të jetë i lirë për të firmosur me ekipin e tij të ri, për një kontratë tre vjeçare. Vetë lojtari është shprehur se është i kënaqur edhe me shumën financiare të ofruar nga ekipi çek, pavarsisht se nuk pranoi të jepte shifra të sakta. Drejtuesit e skuadrës së re të Balës kishin rreth një vit, që e vëzhgonin nga afër atë dhe në fund tashmë mund të konsiderohet punë e mbaruar dhe firma mbi kontratë është thjesht një formalitet. Ditën e djeshme, në ambientet e stadiumin “Selman Stërmasi”, sulmuesi shkodran Bekim Bala ishte i shoqëruar edhe nga menaxheri i tij, që bëri të mundur transferimin drejt Çekisë, Uliks Kotrri. Natyrisht që tekniku Rubio, jo vetëm sot, por edhe në vazhdimësi, kishte dëshirë për ta pasur në radhët e Tiranës, dhe këtë e ka shprehur, por duket se ngjarjet kanë marrë rrjedhë tjetër. Kështu një nga sulmuesit më të mirë të futbollit shqiptar, për momentin, Bekim Bala duke nisur nga ky sezon, do të jetë për tre sezone pjesë e skuadrës së njohur të Spartës së Pragës.

Mejdan ZHIVANI