Lionel Skaloni ia ka dalë që të shkruajë emrin e tij në librin e artë të fituesve të Kupës së Botës si trajner, duke hyrë përgjithmonë në historinë e Argjentinës. Tekniku te i cili pakkush besonte se do të kthente Argjentinën në majën e botës, ia doli që të fitonte Kupën e Amerikës dhe tashmë të bënte të vetën edhe Kupën më të lakmuar e më të kërkuar.

“Ende nuk e kam kuptuar plotësisht, por është gjë e bukur të jesh Kampion Bote”, tha ai pas sfidës.

“Nuk ka mundësi që të vuajmë kaq shumë. Jemi të ndërtuar për të vuajtur dhe ky ekip reagon ndaj çdo gjëje… Jam krenar, por më pak i emocionuar se ditë të tjera pasi jam i lehtësuar. Kjo është meritë e të gjithëve. Ky është një grup i pabesueshëm.

Penalltitë? Të gjithë forcohen kur ka besim. Të vjen njëri dhe të thotë që do të presë dy penallti dhe tjetri që do të shënojë penalltinë e tij.

Me gjërat që kishim kundër sot: barazim, barazim, barazim… është gjithçka meritë e tyte. Uroj që njerëzit të gëzojnë, ju lutemi, pasi është një moment historik. Uroj që fëmijët të dëshirojnë të luajnë në kombëtare, që të jenë kampionë si këta lojtarë”, tha Skaloni në mbyllje të ndeshjes për mediat argjentinase.