Ris Xhejms nuk do të jetë i gatshëm për t’u përzgjedhur për ndeshjen e sotme të Çelsit kundër Lestërit në “King Power Stadium”, zbuloi trajneri Graham Poter.

Tekniku njoftoi se një numër lojtarësh nuk do të jenë të gatshëm për transfertën e sotme kundër “Dhelprave”, ndërsa probleme fizike të ekipit vijojnë.

Duke folur në 118 vjetorin e themelimit të klubit (1905), Poter tha se mbrojtësi i djathtë ishte i sëmurë dhe nuk do të grumbullohet për ndeshjen e sotme.

Por përveç produktit të akademisë, bluve të Londrës do t’u mungojnë edhe disa yje të tjerë, përfshirë Rahim Sterlingun, goli i të cilit të mërkurën kundër Dortmundit, i hapi rrugën përmbysjes dhe kualifikimit të londinezëve në çerekfinalet e Champions-it.

“Ris ka qenë i sëmurë dhe nuk është stërvitur sot (dje). Ai nuk do të jetë i gatshëm për ndeshjen kundër Lestërit. Rahim ndjeu një tërheqje të vogël, një kontraktim ndoshta, kështu që është në dyshim. Obamejang ka një problem të vogël me shpinën dhe duket se do ta humbasë ndeshjen”, tha tekniku, i cili ka gjithashtu në dyshim Mejzon Mauntin (mungoi ndaj Dortmundit).