Nuk kanë fund problemet për njërin prej futbollistëve të Vllaznisë. Bëhet fjalë për mbrojtësin 20 vjeçar Flori Spahija i cili e ka mbyllur sezonin pa luajtur asnjë minutë në kampionat.
Gazeta “Shkodra Sport” mëson se pavarësisht përpjekjeve për t’i shpëtuar ndërhyrjes kirurgjikale, duket se nuk ka rrugë tjetër dhe si rrjedhojë shumë shpejt do të jetë i detyruar të jetë në dorën e mjekëve.
Bëhet fjalë për dëmtim të ligamentit krocial. Kjo i ka ndodhur në fillim të sezonit dhe si rrjedhojë mbrojtësi i majtë qëndroi për një periudhë të gjatë larg skuadrës. Fillimisht duke i dhënë kohën e duhur të rikuperimit e cila zgjati jo pak.
U mendua se gjithçka kaloi ashtu si duhet dhe Spahija ia hodhi pa operacion. Si rrjedhojë në fund të dhjetorit, ai filloi stërvitjen me ekipin, por pas pak ditësh ai mori lajme të këqija sepse filluan sërish shqetësimet. Si rrjedhojë pas konsultimeve me mjekët, është rënë dakord që e vetmja zgjidhja është ndërhyrja kirurgjikale.
Tashmë mbetet për t’u parë se kur do të bëhet ajo dhe në cilin spital. Megjithatë e sigurtë është që sezoni është mbyllur për të dhe e rëndësishme është që ndërhyrja të shkojë mirë dhe po ashtu edhe rikuperimi në mënyrë që kur të nisin përgatitjet për sezonin e ri, ai të jetë gati./SHKODRA-SPORT.COM/